Lidhje

Romney i pari republikan pas më shumë se 3 dekadash që fiton në Iowa dhe New Hampshire

  • Ilir Ikonomi

Romney i pari republikan pas më shumë se 3 dekadash që fiton në Iowa dhe New Hampshire

Romney i pari republikan pas më shumë se 3 dekadash që fiton në Iowa dhe New Hampshire

Ish guvernatori i shtetit Massachusets Mitt Romney fitoi zgjedhjet paraprake mes kandidatëve republikanë për president në shtetin New Hampshire. Kongresmeni nga Teksasi Ron Paul zuri vendin e dytë ndërsa ish ambasadori amerikan në Kinë, Jon Huntsman të tretin.

Kjo është shumë e rëndësishme sepse ai është i pari republikan pas më shumë se 3 dekadash që fiton si në shtetin Iowa ashtu edhe në New Hampshire, dy shtetet ku fillojnë primaret, pra garat për përzgjedhjen e kandidatëve brenda partive. Këto gara vazhdojnë me radhë në secilin shtet por tradita amerikane tregon se shtetet e para janë shumë të rëndësishme dhe këtu zakonisht konkurrenca është tepër e fortë. Romney fitoi 39 përqind të votave krahasuar me 22 përqind që mori Ron Paul në vendin e dytë, pra një diferencë e ndjeshme. Kjo fitore e bën zotin Romney ta hedhë vështrimin drejt përballjes me Presidentin Obama në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

“Borxhi ynë është tepër i madh dhe shanset i kemi tepër të pakta. Presidenti ynë, sa herë zgjohet në mëngjes, deklaron me krenari se ka edhe më keq. Si mund të thuash ka edhe më keq? Nuk është kjo ajo që na bën ta quajmë veten amerikanë”, tha zoti Romney pas fitores.

Zoti Romney prej kohe ka qenë favorit në New Hampshire. Ai ka një shtëpi atje dhe ka qenë guvernator i shtetit fqinj Masaçusets.

Analisti politik Alan Lichtman mendon se Mitt Romney do të vazhdojë të përfitojë nga përçarja mes kandidatëve konservatorë.

“Arsyeja përse zoti Romney është kaq pranë fitores është se baza konservatore nuk ka një kandidat të përshtatshëm. Ata nxorën 6 kandidatë dhe të gjithë u rrëzuan.”

Të gjithë kandidatët, në fushatat e tyre po përpiqen të vënë në pah cilësitë e tyre më të spikatura si konservatorë duke bërë krahasimin me idetë më liberale të presidentit demokrat Barak Obama.

Gara zhvendoset tani në shtetin e Karolinës së Veriut. Shumë analistë politikë mendojnë se, nëqoftëse zoti Romney fiton edhe në këtë shtet, atëhere shtysa që ai do të marrë do të jetë tepër e fuqishme dhe ai nuk do të mund të ndalet dot nga kandidatët e tjerë. Pas kësaj, ai mund të jetë gati për të fituar emërimin e partisë republikane që do të shpallet zyrtarisht në muajin gusht.

XS
SM
MD
LG