Lidhje

Mitt Romney ka shtuar ndjeshëm hendekun me rivalin kryesor Rik Santorum

  • Zëri Amerikës

Kandidati republikan për president Mit Romni e ka shtuar ndjeshëm hendekun me kandidatin tjetër Rik Santorum, rivalin e tij më të afërt.

Zoti Romni siguroi dje një fitore bindëse në garën e shtetit Illinois. Dje ai arriti një tjetër fitore, duke siguruar mbështetjen e ish-guvernatorit të Floridës Jeb Bush, i cili bëri një deklaratë, duke thënë se është koha që republikanët të bashkohen rreth Mit Romnit, si kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale.

Agjencitë amerikane të lajmeve thonë se zoti Romney fitoi rreth 55 përqind të votave ndërkohë që kundërshtari i tij kryesor Rick Santorum mori 30 përqind. Dy kandidatët e tjerë republikan, Ron Paul dhe Newt Gingrich, ndodhen shumë mbrapa.

Me fitoren e mbrëmshme, zoti Romney mori edhe 54 delegatë të tjerë. Një kandidat ka nevojë për 1,144 delegatë për të siguruar emërimin e partisë dhe fituar të drejtën për tu përballur me presidentin demokrat Barak Obama në zgjedhjet e nëntorit.

Në fjalimin e fitores, zoti Romney tha se tre vite të presidentit Obama në detyrë kanë sjellë për amerikanët më pak vende pune, ulje të rrogave, rënie drastike të të ardhurave dhe rritje historike të çmimit të gazit.

Rik Santorum po zhvillon sot fushatë në shtetin jugor të Luizianës, ku zgjedhjet mbahen të shtunën. Ai gëzon mbështetje mes konservatorëve në jug dhe pritet ta fitojë garën në Luizianë.

XS
SM
MD
LG