Lidhje

Mesazhe të përziera nga turneu i parë jashtë vendit i Presidentit Trump


Donald Trump u kthye në Uashington pas përfundimit të udhëtimit të tij të parë jashtë vendit si president. Udhëtimi nëntëditor nuk u shoqërua nga ndonjë polemikë madhore jashtë vendit, por pati disa momente jo të këndshme.

Donald Trump e filloi udhëtimin e tij në Arabinë Saudite, ku u tha udhëheqësve myslimanë të mbledhur aty se nuk kishte shkuar për t’u dhënë leksione.

"Nuk kemi ardhur këtu për t’u treguar njerëzve si të jetojnë, çfarë të bëjnë apo si të falen."

Por nga fundi i udhëtimit, toni i presidentit ndryshoi dramatikisht.

Në takimin e nivelit të lartë të Natos në Bruksel, zoti Trump kritikoi aleatët e Shteteve të Bashkuara se nuk kanë shpenzuar sa duhet për mbrojtjen.

"Kjo nuk është e drejtë për njerëzit dhe taksapaguesit në Shtetet e Bashkuara. Shumë nga këto vende kanë shuma të mëdha parash të papaguara nga vitet e kaluara”.

Ishte një bisedë qartësisht e pakëndshme që u bë edhe më e sikletshme nga dështimi i zotit Trump për t’u angazhuar në përmbushjen e premtimit të përbashkët të mbrojtjes për Naton.

"Ai po dërgon sinjale disi të përziera për aleatët tanë. Në se nuk do të jesh plotësisht i angazhuar ose i gatshëm të dalësh dhe të thuash se je plotësisht i angazhuar, atëhere nuk do të inkurajosh të tjerët të angazhohen për aleancën", thotë Phillip T. Lohous, me institutin American Entreprise.

Gjatë mesit të udhëtimit, zoti Trump vizitoi Izraelin dhe territoret palestineze, ku shprehu optimizëm rreth procesit të paqes në Lindjen e Mesme, por ofroi pak hollësi rreth planeve të tij për ta çuar përpara këtë proces.

Një mënyrë do të ishte të mblidheshin së bashku vendet arabe dhe Izraeli, bazuar në mosbesimin e ndërsjelltë që kanë ndaj Iranit.

Kritikat ndaj Iranit ishte në fakt tema kryesore e udhëtimit të zotit Trump, thotë gazetarja iraniano-amerikan Negar Mortazavi.

“Duket se ai kërkon ta vendos Iranin në krye të listës së armiqve, të paktën kur flasim për Lindjen e Mesme dhe të formojë një rreth të ri aleatësh që në thelb do të kishin Iranin si armik të përbashkët.”

Pjesa tjetër e udhëtimit të zotit Trump, përfshi një takim me Papa Françeskun në Vatikan dhe një takim me kryeministrin e Italisë, ishte kryesisht e qetë.

Zoti Trump e deklaroi udhëtimin e tij të pare jashtë vendit si të suksesshëm, duke thënë përmes Tweeterit se i kurseu Shteteve të Bashkuara “miliarda dollarë dhe miliona vende pune."

Presidenti është kthyer në Uashington, ku administrata e tij kërcënohet nga një polemikë në rritje që ka të bëjë me Rusinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG