Lidhje

Protesta pro mjedisit në Tiranë


Veprimtarët e mjedisit protestuan edhe sot para kryeministrit, duke kërkuar ndalimin e ndërtimeve poshtë digës së liqenit artificial, sepse sipas tyre, ato shkelin ligjet e digave, mjedisit dhe ndërtimtarisë. Ata mbanin në duar parrulla, ku kërkonin shtimin e parqeve dhe jo mbushjen me pallate të atyre që janë ende.

Folësit shprehën dyshime se firmat ndërtuese kanë gati plane edhe më të gjera për ndërtime në parkun e liqenit artificial, duke shkatërruar të vetmen zonën të gjelbër të kryeqytetit shqiptar. Një proces gjyqësor është nisur kundër atyre ndërtimeve, që bien në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e digave, e cila rrezikohet duke patur në nivelin e saj 5 pallate me 20 kate.

Protestës iu bashkuan banorë të Tiranës nga të gjitha moshat. Protestën e kaluar ata protestuan edhe para bashkisë së kryeqytetit, e cila miratoi ato ndërtime, pikërisht në vendin, ku drejtuesit e saj premtuan se nuk do t'i lejonin asnjëherë. Projekti për ato pallate nën digën e liqenit u publikua 4 vjet më parë kur bashkinë e drejtonin socialistët, dhe tashmë projekti u miratuan kur e drejtojnë demokratët.

Mjedisi është një temë kryesore në Shqipëri, jo aq për mbrojtjen e tij, se sa thjesht për konstatimin e dëmeve të pakthyeshme. Në kryeqytet jetojnë gati 1 milionë banorë, ndotja është e papërballueshme dhe çdo pëllëmbë vend është mbushur me pallate. Pothuaj gjithë lulishtet, parqet dhe hapësirat më të vogla janë mbushur me ndërtesa shumëkatëshe. Madje edhe korridoret mes pallateve, përsëri janë mbyllur me të tjera pallate.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG