Lidhje

E-Cigaret, më të padëmshme apo jo


Shumë njerëz besojnë se cigaret elektronike apo E-Cigaret janë më pak të dëmshme sesa cigaret me duhan. Një studim i ri tregon se ekzistojnë ide të gabuara se çfarë mund dhe nuk mund të bëjnë ato – mbi rreziqet ose përfitimeve e tyre dihet shumë pak.

Është quajtur cigare elektronike, por duket si cigare e vërtetë – ajo përmban një substancë të lëngshme që krijon avuj nikotine dhe jo lëndë të tjera të dëmshme që gjenden në cigaret e duhanit.

Një studim i publikuar në revistën amerikane të shëndetit publik, konstaton se shumë të rinj besojnë se këto zevendësuese të cigareve të duhanit, mund të jenë më të dobishme sesa thuhet se janë

Shkencëtarët analizuan të dhëna duke pyetur rreth 2 mijë e 500 persona të moshave 20 – 28 vjeçare për të parë se sa i njihnin ata këto cigareve

Rezultatet treguan se gati 70 për qind e pjesëmarrësve ishin në dijeni rreth cigareve elektronike; mes këtij grupi, 45 për qind mendonin ato mund të ndihmonin për të lënë cigaren me duhan; 52 për qind besonin se e-cigaret ishin më pak të dëmshme; dhe 27 për qind thanë se këto lloj cigaresh e bënin personin më pak të varur nga nikotina në krahasim me personat që pinin cigare të zakonshme.

Por studiuesit paralajmërojnë se rreth rrezikut të cigareve elektronike dihet shumë pak, dhe se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të mbështetur ndonjë përfitim prej tyre.

Vajzat, duhani dhe osteoporoza

Gratë dhe vajzat që pinë duhan janë në rrezik në rritje për t’u prekur nga osteoporoza, sëmundje që shkakton dobësimin e kockave deri në thyerje.

Dihet se osteoporoza prek gratë më shpesh sesa burrat. Ndërsa, një studim i ri në revistën “Journal of Adolescent Health” zbulon se vajzat që pinë duhan e fusin veten edhe më në rrezik për osteoporozë.

Shkencëtarët morrën në shqyrtim për 3 vjet, 262 vajza të shëndetëshme mes moshës 11 – 17 vjeç. Me kalim e kohës, tek vajzat që pinin duhan u vu re një rënie e densitetit të kockave – densiteti i ulët mund të çojë në shtimin e rrezikut për prekje nga osteoporoza në moshë më të rritur.

Vitet e adoleshencës janë kyçe në formimin e kockave, veçanërisht për femrat – kockat e një vajze forcohen në dy vitet e para të ciklit të periodave aq shumë sa ato dobësohen në 40 vitet e fundit si e moshuar.

Gratë e fillojnë jetën me densitet kockash më të ulët sesa burrat, dhe ato humbasin masën e kockave shumë më shpejt ndërsa moshohen.

Dihet se duhani është i dëmshëm në përgjithësi. Por autorët e studimit thonë se këto rezultate duhen parë si arsye tjetër që vajzat adoleshente të mos pinë duhan, nëse nuk duan të ndihmojnë në dobësimin e kockave të tyre kur të moshohen.

Trajtim kirurgjik i Alzheimerit

Sëmundja Alzheimer u grabit viktimave kujtesën dhe aftësinë për të kryer veprimet më të elementare. Pacientë me këtë sëmundje trajtohen me barna, por pa sukses. Edhe ilaçet eksperimentale kanë dështuar për të kuruar ose ngadalësuar keqësimin e sëmundjes.

Mjekët vazhdimisht janë duke kërkuar për metoda të reja trajtimi. Metoda më e fundit është ndërhyrja kirurgjike, duke implantuar një stimulues kardiak për të nxitur trurin.

Pajisja vendoset në gjoksin e pacientit. Fijet e holla të telave kalojnë nën lëkurë, në kafkë dhe pastaj thellë në tru për të ofruar një stimulimit elektrik.

Nga kjo metodë e re eksperimentale, edhe mjekët janë të emocionuar, pasi ajo ofron të kuptuarit e kujtesës dhe se si punon e ripërshtatet truri i të sëmurit me Alzheimer.

Një pajisje e njëjtë është përdorur zakonisht për të luftuar simptomat e sëmundjes Parkinson. Mjekët në qendrën spitalore Johns Hopkins janë të parët që kryejnë këtë procedurë.

Ndërsa mjekët në Kanada kanë kryer gjashtë implante stimuluesish të trurit për pacientët me Alzheimer dhe deri tani rezultatet janë të mira. Ajo që ata janë duke shpresuar është që kujtesa të përmirësohet ose humbja e saj të vonohet. Alzheimeri prek kryesisht të moshuarit.

Stimuluesi për të luftuar Alzheimerin është ende në fazën eksperimentale, por çdo optimizëm e shpresë është i mirëpritur nga mjekët, pacientët dhe familjet e tyre.
XS
SM
MD
LG