Lidhje

Mjekët turq: Jemi sulmuar me gaz dhe jemi nën hetim


Mjekët në Turqi pohojnë se janë sulmuar me gaz lotsjellës në mënyrë të drejtpërdrejtë nga autoritetet, për të cilat thonë se kanë ndjekur dhe rrahur protestues në spitale, kanë ushtruar presion ndaj tyre për të zbuluar emrat e pacientëve dhe kanë injoruar kërkesat e tyre për më shumë materiale dhe pajisje mjekësore, duke përfshirë ambulancat. Duke intervistuar rreth 15 mjekë në më shumë se tre muaj, agjencia e lajmeve Associated Press (AP) tregon mbi shtypjen e personelit mjekësor nga autoritetet turke, gjatë dhe pas protestave të verës kundër qeverisë.

Një ditë, në kulmin e trazirave të verës në Turqi, gazi lotsjellës në sheshin Taksim të Stambollit ishte aq i dendur saqë mjekët që po përpiqeshin të trajtonin të plagosurit në një klinikë të improvizuar mezi mund të merrnin frymë apo të shihnin. Kështu, disa prej tyre nisën të shkonin në një spital aty pranë. Por pasi u futën në një rrugicë, u gjendën ballë për ballë me policinë.

"Të gjithë ne, 20 vetë, kishim veshjet tona të bardha me stemën që shkruan 'Dhoma Mjekësore e Stambollit'. Por gjatë rrugës sonë për në spital, policia hodhi gaz lotsjellës drejt e në mesin tonë," tha Incilay Erdogan, një nga mjeket në atë grup.

Komuniteti mjekësor thotë se profesionistët e tij janë viktima të fshehura të shtypjes së protestave me dhunë, që ka dëmtuar reputacionin e kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan si një reformator demokratik. Shumë mjekë pranojnë se janë dakord me protestuesit dhe se disa prej tyre kanë marrë pjesë në protesta pa veshjen mjekësore, kur nuk ishin duke mjekuar pacientë. Por në shumë raste, thonë mjekët, policia ka sulmuar me gaz klinikat e improvizuara, ndërsa pacientët ishin duke u trajtuar në to.

Doktoresha Erdogan, e cila drejton komisionin e të drejtave të njeriut të Shoqatës Mjekësore Turke për degën e Stambollit dhe që pavarësisht mbiemrit të saj nuk ka lidhje familjare me kryeministrin, kujton një pacient adoleshent që kishte shkuar në një klinikë të improvizuar të Stambollit me trauma të rënda në gjoks. Zonjës Erdogan iu desh të telefononte urgjencën spitalore.

"Ishte shumë e rëndësishme të vinte ambulanca pasi ai mund të pësonte ndalim të frymëmarrjes. Në atë moment, gjithçka ishte e qetë. Nuk kishte protesta dhe rrugët ishin bosh. Ne telefonuam numrin e urgjencës disa herë por ambulanca nuk erdhi."

Doktoresha Erdogan së bashku me disa mjekë të tjerë e shoqëruan protestuesen e aksidentuar në spital me një taski.

Në një deklaratë për “AP”, ministria turke e Shëndetësisë tha se "Është shumë e padrejtë të pretendohet se ka pasur mangësi në shërbimet shëndetësore ofruar gjatë protestave". Autoritetet kanë thënë gjithashtu se protestuesit kanë dëmtuar nëntë autoambulanca të vendosura në parkun Gezi. Por sipas mjekëve, kërkesat e përsëritura ndaj ministrisë së Shëndetësisë për të shtuar burimet mjekësore në zonat e protestës, sidomos ambulancat, janë injoruar.

Autoritet janë shprehur se asnjë veprim nuk do të merret kundër personelit mjekësor që ka trajtuar protestuesit, por në kundërshtim me këtë deklaratë, ekzistojnë dokumente hetuese dhe madje të paktën një aktakuzë për shkelje ligji kundër mjekëve, me mundësi për deri më shumë se një vit në burg.

Feray Kaya, një asistente pediatre e cila punon në një spital shtetëror, trajtoi të plagosur gjatë protestave në mënyrë vullnetare dhe ndihmoi në mbledhjen e të dhënave të të dëmtuarve dhe viktimave. Pas qetësimit të valës së protestave, zonja Kaya mori njoftime se ishte duke u hetuar nga Ministria e Shëndetësisë.

"E bëra sepse jam mjeke. Ata kishin nevojë për mua atje. Dhe ky është profesioni im, që kur dikush është plagosur apo ka dhimbje, unë të ndihmoj për t’i qetësuar ato. Kjo është arsyeja pse unë zgjodha këtë profesion."

Mjekë të tjerë, të cilët kërkuan të mbeten anonimë prej shqetësimeve për pasoja, thanë se kishin marrë letra të ngjashme ku njoftoheshin për hetime ndaj tyre. Këto hetime ndoshin ndërsa Presidenti turk Abdullah Gul po shqyrton mundësinë e nënshkrimit të një legjislacioni të miratuar nga parlamenti turk javën e kaluar, për të cilin kritikët thonë se mund t’i japë autoriteteve kompetenca të reja për të ndjekur penalisht mjekët që ofrojnë kujdes shëndetësor të paautorizuar.

Legjislacioni i miratuar nga parlamenti mundëson gjoba dhe burgim deri në tre vjet për trajtimin e pacientëve pa autorizim nga Ministria e Shëndetësisë, me përjashtim të trajtimit emergjent derisa mbërrin autorizimi zyrtar. Ligji ndalon posaçërisht krijimin e klinikave pa autorizimin të qeverisë. Raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara mbi të drejtën e shëndetit e kritikoi projekt-ligjin muajin e kaluar dhe u bëri thirrje ligjvënësve turq ta rishqyrtonin. Ligji u dënua gjithashtu nga Shoqata Botërore e Mjekësore.
XS
SM
MD
LG