Lidhje

50 vjetori i Marshimit në Uashington


Suksesi i Lëvizjes Amerikane për të Drejtat Civile dhe i luftës për barazinë racore në Shtetet e Bashkuara shërben u bën nder miliona afrikano-amerikanëve të cilët luftuan kundër diskriminimit racor në vitet ‘60. Diçka tjetër e rëndësishme ishte strategjia e të protestuarit për të drejta të barabarta pa përdorur dhunën. Udhëheqësi i të drejtave civile, Martin Luther King, ishte një nga përkrahësit e kësaj strategjie si një alternativë në vend të kryengritjes me armë.

Kleriku Martin Luther King ishte frymëzuar për lëvizjen pa dhunë nga mësimet e udhëheqësit indian Mahatma Gandhi. Në të gjithë jugun e Amerikës, zoti King vuri në pah paragjykimet e padrejta.

“Mississippi është një shtet i cili i ka rezistuar vazhdimisht çfarëdolloj lëvizjeje për të eliminuar racizmin,” thoshte ai.

Të udhëhequr nga zoti King, miliona afrikano-amerikanë dolën në rrugë për të protestuar paqësisht, me akte mosbindjeje civile dhe bojkote ekonomike. Klerikja Bernice King thotë se babai i saj e dinte se mënyra e padhunshme ishte e rëndësishme.

“Gjaku që u derdh ishte pak në krahasim me atë që ishte planifikuar të derdhej, që të dukej sikur babai nuk do të kishte qenë në gjendje për të bindur njerëzit të përqafojnë këtë filozofi të padhunshme.”

Lëvizja e padhunshme u provua në vende si Birmingami i Alabamës. Zoti William Bell është kryebashkiaku i qytetit.

“Gjatë asaj periudhe kishte njerëz që po vriteshin, shtëpitë e tyre sulmoheshin, edhe kishat po ashtu, dhe ka patur një ndjesi se e keqja do të mbizotëronte.”

Në vitin 1965, një marshim për të drejtat e votimit në Selma të Alabamës u shënua në histori si “e diela e përgjakshme.” Kongresmeni John Lewis udhëhoqi marshimin.

“Ata erdhën drejt nesh për të na rrahur me shkopinj, duke na shkelur me kuaj, dhe duke lëshuar gaz lotsjellës. Unë u godita në kokë me shkop nga një ushtar. Mora një goditje sipër hundës dhe mendova se do të vdisja.”

Zoti Andrew Young, një nga ndihmësit më të afërt të zotit King, bëri thirrje për qetësi pas padrejtësisë.

“Nëse ne do të kishim filluar luftë guerile në qytetet e Amerikës, nëse do të kishim rënë pre e terrorizmit, nuk nuk do të kishim fituar por Amerika do të kishte mbijetuar.”

Në Birmingam imazhet e policisë duke përdorur qentë për sulm dhe pompa uji për të shpërndarë fëmijët e shkollës u transmetuan rreth botës. Prokurori Richard Cohen flet mbi ndikimin e këtyre fotografive.

“Dhuna po kryhej nga despotët, jo nga të shtypurit, dhe ishte një mesazh tepër i fuqishëm dhe një mjet tepër i rëndësishëm gjatë lëvizjes.”

Në gusht të vitit 1963, mijëra zezakë dhe të bardhë u
mblodhën për Marshimin në Uashington. Ishte paqësor dhe pa arrestime.

“Vetëm disa javë pas Marshimit në Uashington, ndodhi një tragjedi këtu në Birmingham pasi plasi një bombë poshtë Kishës Baptiste, gjatë klasave të së dielës. Katër vogëlushe u vranë dhe 23 të tjera u plagosën. Ishte një sulm i tmerrshëm kundër zotit King dhe lëvizjes për të drejtat civile.”

Zonja Shirley Gavin Floyd, shoqe e njërës prej viktimave u traumatizua nga vrasjet.

“Kisha frikë të shihja një të bardhë dhe të shkoja kudo ku mendoja se mund të ishte një i bardhë sepse besoja se e njëjta gjë mund të më ndodhte dhe mua.”

Shumë zezakë deshën të hakmerreshin. Ndër ta ishte edhe kongresmeni Bobby Rush i cili në vitet ’60, ishte anëtar i grupit militant Panterat e Zeza.

“Mendova se zoti King ishte shumë pasiv dhe nuk e kuptoja fuqinë e mospërdorjes së dhunës. Kështu që unë nuk iu bashkova filozofisë së tij.”

Disa udhëheqës e përshkruajnë lëvizjen për të drejtat civile si lufta e dytë civile e Amerikës. Zoti Ben Jealous, presidenti i Shoqatës Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë, organizata më e vjetër e vendit për të drejtat civile,thotë se fushata e padhunshme fitoi zemrat dhe mendjet amerikane.

“Lëvizja po shkonte drejt një kulmi që ne do ta shihnim në vitin 1964 dhe 1965 kur u miratua ligji historik për të drejtat civile.”

Historianët thonë se pavarësisht pengesave, lëvizja e padhunshme solli rezultate të qëndrueshme në drejtim të ofrimit të të drejtave të barabarta dhe lirive për të gjithë amerikanët.
XS
SM
MD
LG