Lidhje

50 vjetori i fjalimit "Kam një ëndërr"


Dhjetra-mijëra vetë u mblodhën sot në Uashington për të përkujtuar 50 vjetorin e fjalimit historik të të përndershmit Marti Luther King Jr “"I Have a Dream", “Unë kam një ëndërr”.

Në vitin 1963 afrikano-amerikanët ishin mobilizuar në përpjekje për të kapërcyer diskrimimin racor që kufizonte votimin e zezakëve në pjesë të Shteteve të Bashkuara, bllokonte qasjen e tyre në vende të mira pune dhe i kishte zhytur në varfëri.

Dr. Kingu e mbajti fjalimin para një turme prej më tepër se 250 mijë njerëzve, që tregoi rritjen e peshës politike të lëvizjes paqësore që gradualisht solli si rezultat ligje të reja për mbrojtjen e të drejtave civile të afrikano-amerikanëve dhe grupeve të tjera.

Sot, gjysmë shekulli më pas, Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder tha para njerëzve të mbledhur në Uashington se falë pionierëve të të drejtave civile, ai është i pari afrikano-amerikan që drejton Departamentin e Drejtësisë. Ai tha gjithashtu se mbetet akoma shumë për të bërë në mbrojtje të së drejtës së votës për zezakët dhe për të garantuar të drejta të plota civile për grupe të tjera si hispanikët dhe homoseksualët.

Veterani i të drejtave civile Jesse Jackson tha se 50 vjet pas fjalimi të Martin Luther Kingut “ne jemi të lirë por jo të barabartë” dhe i inkurajoi të pranishmit të mos hiqnin dorë nga ëndrra, të vazhdonin të besonin dhe ta mbanin të gjallë shpresën.
Marshimi i drejtuar nga udhëheqësi i të Drejtave Civile më 28 gusht 1963 ua ndryshoi jetën amerikanëve.

50 vjet më parë, i përndershmi Marti Luther King Jr. udhëhoqi një marshim, që ja ndryshoi jetën amerikanëve. Më 28 gusht të vitit 1963, zoti King mbajti në Uashington fjalimin e tij të famshëm "I Have a Dream", “Unë kam një ëndërr”, para një turme prej më tepër se 250 mijë njerëzve, që u bë një ngjarje madhore në historinë amerikane. Në vazhdim ju njohim me ndikimin e saj:

Një çerek milionë banorë nga i gjithë vendi marshuan për të drejta të barabarta dhe për punë. Kjo demonstratë u mbajt në një periudhë me trazira të mëdha raciale, ndërsa kërkohej t’i jepej fund ligjeve shumëvjeçare që diskriminonin afrikano-amerikanët. I përndershmi Jesse Jackson thotë se Martin Luther King pati një vision të qartë për simbolikën e marshimit.

“Ëndërra kishte të bënte me ngritjen peshë të shpirtit tonë dhe kjo u arrit me shumë sukses: përparimi drejt lirisë.”

Ata që morën pjesë në miting thonë se atmosfera ishte shumë festive. Shumë historianë janë të një mendimi, se marshimi në fakt ishte një deklaratë e fuqishme, se diskriminimi racial duhet të marrë fund.

“Për herë të parë në historinë tonë ne mundëm të bashkohemi dhe të flasim me një zë dhe për mua kjo është gjëja më e fuqishme që ka ndodhur ndonjëherë”.

"I have a dream that all men are created equal."

“Unë kam një ëndërr, që të gjithë njerëzit të jenë të barabartë.”


Doktor King e shfrytëzoi mitingun për të shprehur atë që do të bëhej fjalimi i tij më i famshëm.

"I have a dream that all men are created equal."

King vuri në qendër të vëmendjes luftën e afrikano-amerikanëve për eliminimin e

“Kemi ardhur në një pikë, që ta kujtojmë Amerikën për urgjencën e kësaj çështjeje”.

Momentet më mbresëlënëse të fjalimit ishin kur zoti King foli për aspiratat e tij personale për vendin.

"Unë kam një ëndërr, që katër fëmijët e mi do të jetojnë një ditë në një vend, ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri i tyre. Sot unë kam një ëndërr.”

Kongresmeni John Lewis, i cili foli gjithashtu në marshim, thotë se fjalët e Kingut ishin të fuqishme.

“Shkallët prej mermeri të monumentit të Linkolnit u transformuan në një katedër kishe moderne dhe më kujtohet kur thonte: unë ëndërroj sot për një endërr që i ka rrënjët thellë në ëndërrën amerikane.”

Dick Miles ishte mes shumë të bardhëve që morën pjesë në marshim.

"Askush nga ne nuk priste një fjalim aq dramatik. Ai fjalim na preku të gjithëve deri në zemër”.

Marshimi në Uashington përfundoi me thirrjen e Martin Luther Kingut që liria duhet të mbizotërojë.

"Më në fund jemi të lirë, zoti ynë i plotfuqishëm, më në fund ne jemi të lirë.”

John Lewis kujton se, ndërsa njerëzit u nisën për në marshim, udhëheqësit e të drejtave civile u takuan në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin John Kennedy.

“Atë pasdite Presidenti Kennedy na ftoi në Shtëpinë e Bardhë. Ai u soll si një baba krenar. Na përgëzoi të gjithëve.”

"Ky marshim do të mbahet mend si një nga më të mëdhenjtë, në mos demonstrimi më i madh i lirisë dhe i dinjitetit njerëzor në Shtetet e Bashkuara.”

Historianët e kanë cilësuar Marshimin e Uashingtonit si një protestë paqësore dhe frymëzuese, e cila ndryshoi Amerikën.
XS
SM
MD
LG