Lidhje

Jugu 50 vjet pas lëvizjes për të drejtat civile


Dhuna dhe diskriminimi racial shkaktuan një largim masiv të afrikano-amerikanëve nga pjesa jugore e Shteteve të Bashkuara drejt komuniteteve të veriut gjatë viteve 60-të. Tani më shumë zezakë banojnë në jugun amerikan se kudo gjetkë në vend. Strehimi i përballueshëm dhe vendet e punës tërhoqën përsëri afrikano-amerikanët në këtë rajon, ku ëndrra e Dr. Martin Luther Kingut për barazi raciale po bëhet realitet. Chris Simkins i Zërit të Amerikës na njeh me atë që po cilësohet si Jugu i Ri.

Sot qyteti Birmingham i Alabamës duket krejt ndryshe nga vitet 60. Zezakët dhe të bardhët së bashku brohorasin për ekipin e tyre të bejsbollit. 50 vjet më parë ky nuk ishte realiteti në këtë ish vatër të nxehtë të diskriminimit dhe urrejtjes racore.

Pas miratimit të ligjieve mbi të drejtat civile dhe të drejtat e votimit në vitet 60, në Birmingham u hapën dyert për kryetarin e bashkisë, William Bell dhe për më shumë se 800 zyrtarë të zgjedhur zezakë në mbarë jugun amerikan. Zoti Bell thotë se kjo u arrit falë sakrificave të miliona njerëzve për të eliminuar ndarjet racore.

"Nëse ndarja racore mund të kapërcehej këtu në Birmingham, ajo mund të kapërcehej kudo në jugun amerikan. Ky koncept nxorri në vijën e parë parë burra dhe gra zezakë, të bardhë, katolikë, baptistë, muslimanë, hebrej e të tjerë njerëz të ndershëm, të cilët vendosën ta luftonin këtë dukuri negative dhe së bashku të ndihmonin në ndryshimin e Birminghamit".

Jo shumë larg, në shtetin jugor të Misisipit, Flonzie Brown Wright u frymëzua nga lëvizja për të drejtat civile që të fillonte karierën e saj politike.

"Në vitin 1968 unë u zgjodha në një pozitë në distriktin Madison të shtetit Misisipi, duke u bërë gruaja e parë afrikano-amerikane e zgjedhur".

Milton Anderson është një produkt tjetër i jugut të ri të integruar.

"Më 1963 ose 1964, në shumicën e rasteve, një njeri si unë nuk mund të bëhej në asnjë mënyrë president i një kolegji të rëndësishëm në shtetin e Misisipit ose në ndonjë shtet tjetër të jugut".

Në Birmingham, kryebashkiaku Bell përqëndrohet në zhvillimin ekonomik si ndërtimi i statiumit të ri të bejsbollit. Ndërkohë, ai vazhdon përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet racore dhe mundësi të barabarta për të gjithë banorët.

"Mund të arrish çfarë të duash, të jetosh si të duash dhe në përgjithësi mund të kesh të gjitha mundësitë dhe kjo si rezultat i lëvizjes së të drejtave civile. Situata nuk është e përsosur, por është shumë më mirë se sa para 50 vjetësh dhe mundësitë janë shumë më të mëdha për brezin e ardhshëm".

Jeff Drew zotëron një agjenci sigurimesh në Birmingham. Ai thotë se afrikano-amerikanët kanë sot mundësi për të cilat as që mund të ëndërronin para 50 vjetësh.

"Zezakët dhe të bardhët punojnë së bashku, zezakët dhe të bardhët marrin pjesë së bashku në aktivitete shoqërore në Birmingham. Në përgjithësi, marrëdhëniet raciale janë përmirësuar shumë në krahasim me 50 vjet më parë".

Në shifra rekord, afrikano-amerikanët po kthehen në qytetet e jugut, si në Atlanta, për arsye të strehimit të përballueshëm dhe mundësive për punësim. Kryetari i Bashkisë së qytetit thotë se Atlanta është kryeqyteti i jugut të ri.

"Mendoj se ardhmja e shoqërisë sonë do të jetë talenti".

Kryebashkiaku Kasim Reed thotë se Atlanta ka popullatën e dytë më të madhe afrikano-amerikane në Shtetet e Bashkuara.

"Zona metropolitane e Atlantës është një prej tregjeve më dinamike për afrikano-amerikanët në Shtetet e Bashkuara për arsye të programeve gjithëpërfshirëse, që ne kemi këtu, për arsye të mënyrës se si ne përqafojmë talentin, dinjitetin dhe meritën".

Ëndrra e Dr. Kingut për barazi shoqërore dhe ekonomike po bëhet realitet në shumë pjesë të jugut. Zezakët dhe të bardhët po gjejnë mënyra për të bashkëjetuar dhe për të pasur sukses në një mënyrë model për komunitete të tjera.
XS
SM
MD
LG