Lidhje

Mlladiç, gjenerali i pamëshirshëm dhe arrogant


Mlladiç, gjenerali i pamëshirshëm dhe arrogant
Mlladiç, gjenerali i pamëshirshëm dhe arrogant

Gjenerali Ratko Mlladiç njihej për karakterin e tij të pamëshirshëm. “Digjuani trutë,” urdhëronte ai në një rast kur njerëzit e tij bombardonin Sarajevën me artileri.

Edhe arroganca e Mlladiçit ishte legjendare. Ai e quante veten “Perëndi” dhe mbante një kope të vogël dhish, të cilave u kishte vënë emrat e udhëheqësve perëndimorë që urrente.

Mlladiçi, ishte numri një në listën e personave të kërkuar nga Gjykata e krimeve të Luftës, së bashku me partnerin e tij të krimit, Radovan Karaxhiç.

69-vjeçari Mlladiç i kishte shpëtuar arrestimit që nga viti 1995, kur Gjykata e Hagës ngriti akuzat kundër tij.

Menjëherë pas rrëzimit të Millosheviçit nga pushteti në vitin 2001, Mlladiçi nisi të fshihej.

Por ditët e tij në fshehje ishin të numëruara pas kapjes së Karaxhiçit nga forcat serbe, më 21 korrik 2008 në Beograd.

Më në fund, Presidenti serb Boris Tadiç njoftoi sot se Mlladiçi ishte arrestuar.

Nëse nxirret para gjyqit dhe shpallet fajtor, Mlladiçi përballet me burgim të përjetshëm, dënimi maksimal që mund të japë Gjykata e Hagës.

I lindur në vitin 1942 në fshatin Kalinovik të Bosnjes, Mlladiçi u edukua në Jugosllavinë e Titos dhe u bë oficer i rregullt në Ushtrinë Popullore Jugosllave.

Në maj 1992, Kuvendi i Serbëve të Bosnjes, votoi për krijimin e një ushtrie dhe emëroi komandant të saj Gjeneralin Mlladiç.

Ai shihet si një ndër ideatorët kryesorë të bllokadës së egër të Sarajevës.

Luftën e Bosnjes, ku u vranë më shumë se 100 mijë njerëz dhe u zhvendosën 1,8 milion të tjerë, Mlladiçi e pa si një rast për t’u hakmarrë ndaj muslimanëve.

Në korrik 1995, rreth 8 mijë muslimanë, kryesisht burra dhe djem, u masakruan kur enklava e Srebrenicës e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, ra në duart e serbëve të Bosnjes nën komandën e Gjeneralit Mlladiç. Ngjarja e Srebrenicës ka mbetur në histori si masakra më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Të mbijetuarit e masakrës tregojnë histori ekzekutimesh masive dhe bombardime pa dallim kundër civilëve.

Forcat serbe e bombarduan Srebrenicën me artileri të rëndë për pesë ditë me radhë para se të hynin në qytet.

Mlladiçi hyri në shtabin kryesor të paqeruajtësve të OKB-së dhe urdhëroi mijra refugjatë, kryesisht gra dhe fëmijë, të largoheshin me autobusë dhe me kamionë.

Ai u dha edhe një goditje tjetër trupave të OKB-së, tashmë të poshtëruara dhe të mundura, kur në turmën e atyre njerëzve ndau gratë nga burrat ndërkohë që paqeruajtësit rrinin duarkryq dhe vështronin.

Do të mbahet mend biseda rrënqethëse që ai pati me refugjatët e tmerruar boshnjakë e që u fiksua nga kamerat televizive, ku Mlladiçi i siguronte ata se nuk do t’u ndodhte asgjë.

Vetëm pak orë para masakrës, Mlladiçi u shpërndau karamele fëmijëve muslimanë që ishin sjellë nga ushtarët në sheshin e qytetit.

Mlladiçi urdhëroi që të gjithë meshkujt 16 vjeç e lart të veçoheshin mënjanë për t’u kontrolluar se mos kishin bërë krime lufte.

U desh të kalonte kohë që ekspertët të binin në gjurmët e masakrës së Srebrenicës. Në fillim u gjetën disa kafka, këpucë dhe kocka. Pastaj u zbuluan shumë më tepër trupa.

Ndërkohë, megjithë thirrjet për arrestimin e tij, Mlladiçi vazhdoi të shëtisë i lirë.

Para se të fshihej nga sytë e publikut në vitin 2001, ai jetonte haptazi në Beograd dhe shihej shpesh nëpër kafene dhe ndeshje futbolli.

Ai madje e provokonte komunitetin ndërkombëtar duke bërë ski në Malin e Jahorinës, pranë Sarajevës, dhe duke lejuar që të fotografohej nga të tjerët.

Kur Millosheviçi u rrëzua nga pushteti në tetor të vitit 2000 dhe autoritetet e reja të Beogradit lanë të kuptohet se mund ta dorëzonin Mlladiçin, gazetat serbe njoftonin se ai ishte larguar për në Bosnje.

Por Mlladiçi i kundërshtonte këta zëra si dhe të tjerët që thoshin se ai ishte i sëmurë rëndë në Beograd.

Në korrik 2008, kapja e Karaxhiçit i shtoi shpresat se edhe Mlladiçi do të kishte së shpejti të njëjtin fat.

Në atë kohë, autoritetet serbe zbuluan për habinë e të gjithëve se e kishin kapur fare papritur Karaxhiçin, ndërkohë që kërkonin Mlladiçin, një figurë shumë më sfiduese se sa i pari.

XS
SM
MD
LG