Lidhje

Mlladiç, për herë të parë përpara Gjykatës së Hagës

  • Zëri Amerikës

Mlladiç, për herë të parë përpara Gjykatës së Hagës

Mlladiç, për herë të parë përpara Gjykatës së Hagës

Pas 16 vjetësh në arrati, ish komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiç doli sot për herë të parë përpara Gjykatës së OKB-së për krimet e luftës për t’ju përgjigjur akuzave për gjenocid gjatë luftës në Bosnje.

Mlladiçi ishte dikur një figurë arrogante dhe frikësuese por tani tani duket se është i sëmurë dhe avokati i tij, i emëruar nga gjykata, tha se klienti i tij prej vitesh nuk ka marrë kujdesin e duhur shëndetësor.

Ai tha se Mlladiçi e kaloi natën e së enjtes në një spital të burgut por gjykata u përgjigj se kjo ishte diçka rutinë për personat e akuzuar. Mbi Mlladiçin rëndojnë 11 akuza për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, përfshirë gjenocidin.

Në seancën e sotme Mlladiçi identifikoi veten dhe iu përgjigj pyetjeve rreth shëndetit të tij. Ai refuzoi të pranonte ose jo fajësi rreth akuzave ku thuhet se, si komandant i ushtrisë, ai orkestroi një fushatë krimesh, më të rëndat në këtë konflikt që u mori jetën 100 mijë njerëzve.

Ai i deklaroi kryegjykatësit holandez, Alfons Orie se ishte i sëmurë rëndë por mund të jepte hollësi rreth shëndetit të tij me kusht që ato të mos dëgjoheshin në publik.

Mlladiçi me sa duket nuk ishte në gjendje të përdorte krahun e tij të djathtë.

Rojet e gjyqit e ndihmuan për t’u ngritur si dhe për të vendosur kufjet në vesh në mënyrë që të mund të dëgjonte përkthimin në serbisht.

Të folurit e tij ishte i ngadaltë dhe herë-herë i pakuptueshëm.

Pas arrestimit të Mlladiçit dy javë më parë, familja e tij tha se ai kishte patur dy herë hemoragji cerebrale gjatë kohës që ishte në arrati.

Megjithatë, Mlladiçi nuk e kishte humbur mënyrën e vrazhdë të të folurit, ashtu si në kohën kur komandonte forcat e serbëve të Bosnjes, të cilat akuzohen për krime të padëgjuara gjatë luftës.

Mlladiçi përshëndeti në stilin ushtarak me dorën e majtë, dhe i deklaroi kryegjyqtarit se nuk donte që në gjykatë të lexohej as edhe një fjali nga akuzat kundër tij.

I pyetur nëse dëshironte të pranonte ose jo fajësinë, Mlladiçi u përgjigj se nuk donte t’u përgjigjej akuzave të pështira dhe monstruoze.

Kryegjykatësi planifikoi një seancë tjetër për 4 korrik. Nëse Mlladiçi përsëri refuzon të pranojë ose jo fajësi për të 11 akuzat, që përshijnë gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, atëhere gjykatësit do ta marrin këtë si një deklaratë se i akuzuari e quan veten “jo fajtor” dhe pas kësaj do të fillojnë përgatitjet për gjyqin i cili pritet të zgjasë me vite.

Dalja e parë publike e Mlladiçit që pas arrestimit, u transmetua drejtpërdrejt në Serbi, ku njerëzit përgjithësisht dukeshin indiferentë por një pjesë ishin kureshtarë për të parë se ç’pamje kishte ai pas kaq shumë vitesh arrati.

XS
SM
MD
LG