Lidhje

Portret i të emëruarit si Sekretar i Thesarit, Steven Mnuchin


Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump bëri dje dy emërime për poste të rëndësishme në ekipin e tij të ekonomisë. Njeriu i emëruar për postin e Sekretarit të Thesarit, ish bankieri i kompanisë financiare Goldman Sachs, Steven Mnuchin është bërë shkak për debate, si rrjedhojë e retorikës së zotit Trump kundër Wall Street-it, gjatë fushatës elektorale.

Milioneri 53-vjeçar Steven Mnuchin është një emër jo fort i dëgjuar dhe nuk ka patur asnjëherë post publik. Por ai është diplomuar në Universitetin Yale dhe ka një CV interesante. Për 17 vjet me radhë ka qenë partner në firmën Goldman Sachs, krijoi firmën e tij të investimeve me risk të lartë dhe më vonë u bë i suksesshëm si producent i Hollivudit.

Por këto ditë Mnuchin thotë se është fokusuar tek çështje më të rëndësishme.

“Përparësia jonë do të jetë ekonomia, për t’u kthyer te rritja ekonomike prej 3-4 përqind. Fokusi ynë do të jetë gjendja ekonomike për shtresën e punotorëve.”

Ai ka qenë këshilltar i besuar i zotit Trump që në fillimet e fushatës prandaj analistët thonë se emërimi i zotit Mnuchin ishte i parashikueshëm.

“Zoti Trump zgjedh njerëz që i pëlqejnë, njerëz që e kanë mbështetur dhe si çdo president, ai është besnik ndaj tyre, pra ai do që t’i shpërblejë besnikët e tij.”- thotë analistja Cary Leahey e firmës Decision Economics.

Por disa thonë se si njeriu që do të merret me ndryshimin e sistemit të taksave, zgjedhja e zotit Mnuchin jep një mesazh të gabuar. Analisti Rick Claypool, thotë se zoti Trump nuk po i vë në jetë deklaratat që bëri gjatë fushatës:

“Mnuchin është pikërisht kandidati që ne prisnim të zgjidhej nga Trump,” thotë analisti.

Por Claypool e sheh emërimin e zotit Mnuchin si një kthim të rrezikshëm në të shkuarën:

“Mendoj se politikat e tij mund të na çojnë në disa aktivite të rrezikshme që sollën krizën financiare dhe recesionin.”

Në Wall Street, Mnuchin konsiderohet si njeriu i brendshëm dhe i sigurtë.

“Mendoj se Wall Streeti do të jetë i kënaqur me emërimin e tij, në vend të disa kandidaturave të tjera pak a shumë konservatore, bazuar tek standartet e zotit Trump. Mendoj se anksionerët janë të kënaqur me emërimin e tij", thotë Cary Leahey e firmës Decision Economics.

Sikurse edhe postet e tjera të kabinetit, kandidatura e zotit Mnuchin duhet të miratohet nga Senati. Por, duke patur parasysh se republikanët kanë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, analistët mendojnë se konfirmimi nga senati i zotit Mnuchin do të kalojë pa probleme.

XS
SM
MD
LG