Lidhje

Moda e fundit në mobilimin e ambjenteve të banimit


Vila Greystone, e ndërtuar në vitin 1928, e cila dikur i përkiste familjes së manjatit Doheny, ka marrë një pamje të re me ndihmën e 20 dizenjatorëve të njohur. Dizenjatorëve iu la dorë e lirë për të shpalosur talentet e tyre të mobilimit në këtë ndërtesë historike.

Prirjet e reja të mobilimit në ambjentet e banimit shpalosen duke sjellë një kombinim të ngjyrave të errëta, me sipërfaqet metalike, të ndërthurura me objekte artizanale.

Dizenjatorët thonë se në modë është prezantimi i disa orendive më të spikatura, që dallohen si objekte unike, edhe nëse nuk kombinojnë me mobilimin e përgjithshëm të ambjentit. Pra kombinimi i orendive është jashtë mode për vitin 2016.

Sipas dizenjatorëve, klientët duan objekte që kanë një histori të veçantë, si nga ana e materialeve, ashtu edhe të ndërtimit.

John Mirisch, nënkryetar i bashkisë së Beverly Hills, thotë se vila Greystone është një pjesë e pandashme e qytetit 100-vjeçar. Kjo ndërtesë gjatë gjithë vitit rri e zbrazët dhe rezervohet nga klientë për aktivitete të ndryshme. Por një herë në vit, dyert e saj hapen për publikun dhe ndërtesa e famshme prezantohet në formën më spektakolare:

"Thuajse gjatë gjithë vitit vila Graystone jeton në formën origjinale, ashtu siç ishte kur familja Doheny jetonte këtu, pra i përket një momenti të caktuar në të kaluarën. Por, tani që shikoj të gjithë këta elementë të mrekullueshëm që kanë realizuar dizenjatorët, e kuptoj rëndësinë që ka arti i mobilimit. Dizenjatorët e transformojnë këtë vilë në një mjedis të ri, modern dhe mendoj se kjo përfaqëson shpirtin e Beverly Hills që është simbol i jetës luksoze,” thotë Nënkryetari i Bashkisë Beverly Hills, John Mirisch.

Tani është në modë që në të njëjtin ambjent të prezantohen disa objekte antike, së bashku me mobilje apo zbukurime moderne.

Laura Schwartz-Muller, presidente e Shoqatës Amerikane të Dizenjatorët në Los Anxhelos thotë se moda e re për 2015-2016 është përzierja e metaleve me mobilje të prodhuara me materiale të ricikluara apo të ripërtëritshme, dhe kombinimi i disa stileve.

"Do të shohim një ndërthurje materialesh, që nga materialet e papërpunuara e deri tek ato artizanale, organike. Të gjithë këta elementë kombinohen dhe prirja është minimalizmi. Klientët duan dizenjo që reduktojnë ngarkesën e ambjentit që të prezantohen sa më mirë objektet me vlerë.”

Zonja Schwartz-Muller thotë se një element interesant i mobilimit për 2016 është tunxhi dhe bronxi i nxirë.

Ndër ngjyrat dominon e bardha e zbutur, ngjyrë qumështi, e kombinuar me ngjyra të mbyllura. Dizenjatorja Beth Web thotë se ngjyrat e sotme reflektojnë dëshirën e klientëve që shtëpia të jetë një mjedis sa më qetësues:

"Mendoj se kjo është një prirje shumë e pëlqyeshme, pasi në jetën tonë kemi ngarkesë të vazhdueshme, nga celularët, emailet, mesazhet. Prandaj unë dua një mjedis qetësimi, ku të shkëputemi nga kjo zhurmë. Një mjedis të paqtë dhe këtë kërkoj të krijoj me dizenjot e mia”.

Vila Graystone e zbukuruar nga talenti i 20 dizenjatorëve u hap më 7 nëntor dhe publiku do të ketë mundësi të njihet me modën e fundit në mobilimin e mjedisive të banimit deri në 22 nëntor.

XS
SM
MD
LG