Lidhje

Industria e modës në Nju Jork


Distrikti i fasonerisë në Nju Jork
Distrikti i fasonerisë në Nju Jork

Shumë nga stilistët më në zë në botë kanë pasur studiot e tyre në Nju Jork. Por shpesh krijimet e tyre dërgoheshin për prodhim në vende të tjera ku krahu i punës është më i lirë. Tani Nju Jorku po ofron ndihma financiare për sektorin e fasonerisë për të nxitur stilistët të hedhin rrënjë në këtë qytet.​

Në Nju Jork industria e modës punëson mbi 5% të krahut të punës dhe gjeneron afro 18 miliardë dollarë në vit nga shitjet me pakicë.

Pavarësisht peripecive të ekonomisë, bizneset e shitjes me shumicë, prodhuesit dhe stilistët kanë operuar në zonën e fasonerisë që nga vitet 1880. Kryebashkiaku Bill de Blasio thotë se kjo industri është pjesë e pandashme e qytetit:

“Ky nuk është thjesht një sektor kyç i ekonomisë së qytetit, por edhe një ndër më simbolikët për Nju Jorkun. Kjo industri identifikohet kaq shumë me karaterin dhe imazhin e qytetit dhe duam që ta ruajmë dhe ta forcojmë”.

Këtë vit qyteti do të akordojë 15 milionë dollarë për të mbështetur stilistë dhe prodhues të rinj që të krijojnë linja mode përmes programit Made in New York- Prodhuar në Nju Jork.

Kompani që përmbushin kushtet si Leota, duhet të shesin të paktën 1000 produkte në vit dhe t’i krijojnë, presin dhe qepin produktet e tyre në qytet. Themeluesja Sarah Carson mirëpret nismat që do të lindin përmes programit.

“Sigurimi i fondeve për ne si biznes i vogël që kërkon të rritet, është shumë i rëndësishëm në mënyrë që të zgjerojmë operacionet, të marrim njerëz të rinj në punë dhe të nxisim rritjen e këtij sektori në Nju Jork”.

Leota u themelua katër vjet më parë dhe është rritur gradualisht. Por prodhimi në Nju Jork nuk është i lehtë: qerata janë tepër të larta, krahu i punës po plaket dhe teknologjia është e vjetëruar.

“Nuk kemi teknologjinë që duhet për të bërë disa prerje me lazer dhe stile që pëlqehen sot. Nuk i prodhojmë dot këtu”.

Programi Made in New York ofron subvencione për fabrikat që investojnë në zhvillimin e teknologjisë dhe forcës punëtore. Deri tani qyteti ka dhënë mbi 1 milion dollarë për fabrika të ndryshme.

Kenny Hung ka një fabrikë ku prodhohen krijimet e firmës Leota. Është një biznes që ai e menaxhon me bashkëshorten, Carmen. Ai thotë se nuk ka punë të mjaftueshme për t’i mbajtur të angazhuara rrobaqepëset e tij gjatë gjithë vitit.

Për ta ndrequr këtë problem, qyteti krijoi një platformë elektronike që lidh stilistët në qytet me fabrikat prodhuese, me shpresën që kjo do të shtojë punën për fabrikat. Po ashtu, nëse zoti Hung investon për teknologji moderne, ai do të kualifikohet për subvencione nga bashkia dhe do ta bëjë biznesin e tij edhe më tërheqës për stilistët e Nju Jorkut.

Nga krijimi, tek prodhimi e deri tek produkti përfundimtar, ky fustan është prodhuar 100% në Nju Jork duke ndihmuar ekonominë lokale dhe duke garantuar që Nju Jorku të mbetet një qendër mode për vite të tjera.

XS
SM
MD
LG