Lidhje

Modeli laik i demokracisë turke për disa vende arabe

  • Zëri Amerikës

Modeli laik i demokracisë turke për disa vende arabe

Modeli laik i demokracisë turke për disa vende arabe

Pas Pranverës Arabe, disa e shohin qeverinë laike demokratike të Turqisë si një model të mundshëm për qeveritë e reja në rajon. Një ish-oficer i ushtrisë, që është bërë shkrimtar po sjell si shembull përvojën e heroit kombëtar të Turqisë, Kemal Ataturk në vitet ’20, megjithëse partia turke me prirje islamike në pushtet e sfidon një pjesë të kësaj trashëgimie

Austin Bay, një ish kolonel në ushtrinë amerikane, mund të jetë admiruesi më i madh i Kemal Ataturkut në Shtetet e Bashkuara. Ai ka shkruar së fundi një biografi të udheheqësit turk, të titulluar “Ataturk, mësime udhëheqjeje nga gjenerali më i madh i perandorisë osmane”.

“Nuk ka dyshim se Turqia është tërheqëse për një numër vendesh myslimane. Ka një shoqëri energjike, jetë kulturore të pasur, dhe ka pasur rritje ekonomike”.

Zoti Bay thotë se Turqia ia detyron një pjesë të madhe të suksesit qeverisjes laike demokratike që Ataturku ndoqi kur erdhi në pushtet pasi vendi humbi në Luftën e Parë Botërore.

“Democracia laike është instrumenti më i rëndësishëm dhe më i fortë i politikës së jashtme dhe mendoj se është gjithashtu instrumenti më i fortë i politikës së brendshme”.

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim me prirje myslimane, konsiderohet nga disa si dikush që po i minon disa nga idetë laike të Ataturkut.

Por zoti Bay thotë se kryeministri Erdogan e përdor demokracinë laike të Turqisë si një model kur viziton vende që kaluan përmes Pranverës Arabe.

“Kur shkoi në Egjipt, Tunizi dhe Libi në shtator ai tha se është shumë e rëndësishme që të kesh një demokraci laike dhe menjëherë shton ‘Unë nuk jam laik’ dhe në fakt nuk është, ‘por unë jam kryeministër i një demokracie laike’”.

Por modeli i Turqisë mund të mos jetë aq i lehtë për t’u eksportuar, thotë Reva Bhalla, drejtore e kompanisë për analizat gjeopolitike, Strategic Intelligence for Stratfor. Ajo foli për Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

“Turqia do që ta paraqesë veten si model në botën islamike, që mund të veprojë si ndërmjetëse mes Perëndimit dhe shumë prej këtyre vendeve që po kalojnë përmes tranzicioneve madhore por ka një hendek të madh mes teorisë dhe praktikës”.

Zonja Bhalla thotë se ndërsa grupet opozitare që ndihmuan në përmbysjen e regjimeve shtypëse kërkojnë mbështetje ndërkombëtare, ata njëkohësisht shqetësohen nga mundësia e mbizotërimit nga jashtë.

"Shumë nga këto grupe opozitare nuk e pëlqejnë idenë që t’u diktohet diçka nga një fuqi e madhe si Turqia dhe janë më të interesuar për interesat e tyre kombëtare”.

Por ka rrugë të tjera që këto vende mund të ndjekin për ta përdorur Turqinë si shembull dhe Austin Bay thotë se theksi i Ataturkut tek mirëqenia përmes arsimit është një prej tyre.

“Në vitin 1923 ai mbajti një fjalim për nevojën e mirëqenies dhe tha se ‘kjo është diçka që do të na duhet të zbatojmë në Turqi, do të duhet ta krijojmë vetë’”.

Zoti Bay thotë se një pjesë e konsiderueshme e rritjes së fortë prej 7 për qind mund t’i atrubuohet një popullsie kryesisht të arsimuar dhe të re ne moshë.

XS
SM
MD
LG