Lidhje

Mogherini: kemi detyrim moral për migrantët


Udhëheqësit evropianë shprehën sot shqetësimin për valën në rritje të imigrantëve aziatikë dhe afrikanë që po përpiqen të hyjnë në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa autoritetet e këtyre vendeve po përpiqeshin të merrnin masa për të ndihmuar për tre varka me qindra refugjatë në Detin Mesdhe.

Ministrat e jashtëm dhe të brendshëm të Bashkimit Evropian hapën një konferencë të përbashkët në Luksemburg, dy ditë pasi një bark u përmbyt në brigjet e Libisë me mbi 700 emigrantë që mendohet të kenë humbur jetën ndërsa drejtoheshin drejt ishullit Lampedusa në Itali.

Kryeministri italian Matteo Renzi tha se Italia dhe Malta po punojnë për të shpëtuar dy barka të tjera në brigjet e Libisë, një gomone me 100-150 vetë dhe një barkë më të madhe me 300.

Trembëdhjetë fëmijë ishin mes 98 emigrantëve sirianë, varka e të cilëve e filloi udhëtimin e rrezikshme për në Evropë nga Turqia.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha se blloku ka një "detyrim moral."

"Pas asaj që ndodhi në Mesdhe pardje, mendova se ishte detyra jonë morale për ta përqendruar përgjegjësinë tonë si evropianë në parandalimin e këtyre lloj tragjedive që ato të mos përsëriten," tha zonja Mogherini.

Carlotta Sami, zëdhënëse e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, tha se emigrantët, që kërkojnë një jetë më të mirë në Evropë, po përdorin rrugë nga më të ndryshme për të arritur destinacionin:

"Ky është një tjetër operacion shpëtimi, që tregon se sa komplekse janë operacionet në këtë fazë dhe sa të shumëllojshme janë rrugët që ata ndjekin; kjo është një anije vetëm me refugjatë sirianë në bord. Ishte një anije që vinte nga Turqia."

Ndërkohë, deri në 700 njerëz ose më shumë mund të kenë gjetur vdekjen nga përmbysja e anijes së tyre përballë brigjeve të Libisë. Numri i saktë i tyre ndoshta nuk do të mësohet dot kurrë.

Autoritetet thanë se deri në mbrëmjen e djeshme ishin shpëtuar 28 njerëz rreth 200 kilometra në jug të ishullit italian të Lampeduzës, ndërkohë që ishin gjetur 24 trupa pa jetë. Ekipet e shpëtimit thanë se shumica e të zhdukurve ka të ngjarë të jenë bllokuar në anije në fund të detit.

Viktimat e fundit e çojnë në më shumë se 1,500 numrin e të mbyturve në Mesdhe gjatë këtij viti, në krahasim me rreth 90 në të njëjtën periudhë një vit më parë.

Italia ngul këmbë se partnerët e saj të Bashkimit Evropian nuk kanë bërë sa duhet për ta ndihmuar me krizën e migraimit.

Italia ka mbajtur pjesën më të madhe të barrës për shpëtimin dhe strehimin e emigrantëve. Vitin e kaluar, Italia i dha fund misionit Mare nostrum të kërkim shpëtimit, i cili u zëvendësuar nga një mision i vogël i drejtuar nga Bashkimi Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG