Lidhje

Mohamed ElBaradei, një zë i njohur i opozitës ndaj Presidentit Mubarak

  • Andre Nesnera

Mohamed ElBaradei, një zë i njohur i opozitës ndaj Presidentit Mubarak

Mohamed ElBaradei, një zë i njohur i opozitës ndaj Presidentit Mubarak

Mohamed ElBaradei njihet më së miri si kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, institucioni i OKB-së për mbikqyrjen e aktivitetit bërthamor. Ai shërbeu në këtë pozitë nga viti 1997 deri më 2009.

Fawaz Gerges, nga Shkolla Londineze e Ekonomisë, thotë se, gjatë kësaj periudhe, kishte shumë tensione mes zyrtarëve amerikanë dhe zotit ElBaradei, veçanërisht për sa i përket programit bërthamor të Iranit.

“Zyrtarët amerikanë besonin se ElBaradei ngurronte të pranonte disa premisa rreth programit bërthamor të Iranit, se ai ishte thjeshtë shumë tolerant ndaj disa deklaratave dhe pohimeve publike të iranianëve dhe se nuk ishte aq i disponueshëm sa paraardhësi i tij, Hans Bliks i Suedisë. Kështu që marrëdhëniet mes ElBaradeit dhe politikës së jashtme amerikane ishin të tendosura dhe amerikanët në fakt u përpoqën ta minonin kandidaturën e tij”.

Përfundimisht, Shtetet e Bashkuara e mbështetën atë për një mandat të tretë dhe në vitin 2005 zoti ElBaradei dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike morën Çmimin Nobel të Paqes për përpjekjet drejt parandalimit të përhapjes së armëve bërthamore.

Tani zoti ElBaradei është shfaqur si një zë i shquar i opozitës ndaj Presidentit egjiptian Hosni Mubarak.

Por siç thotë Emad Shahin nga Universiteti Notre Dame, disa egjiptianë e konsiderojnë ish-diplomatin si të huaj, njeri që ka kaluar 30 vjet larg Egjiptit dhe vetëm kohët e fundit është kthyer në atdhe.

“Kjo e ka lënë atë pa rrënjë të thella në shoqërinë egjiptiane, pa bazë pushteti, si të thuash, pa lidhje të afërsi me institucione, parti politike, organizata popullore etj. Kuptohet, nëse qëndron larg vendit për 30 vjet, i humbet rrënjët. Kjo e bën zotin ElBaradei objekt edhe të kritikave se ai është elitë, ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në Nju Jork e Vjenë dhe se nuk i përket të varfërve, masave të përvuajtura të popullit egjiptian”.

Nga ana tjetër, thotë zoti Shahin, koha e kaluar jashtë vendit ka edhe anët pozitive.

“Ana pozitive është se ai vjen nga jashtë sistemit, nuk është përlyer në këtë sistem të korruptuar, nuk ka shërbyer në asnjë pozitë zyrtare në Egjipt gjatë 30 vjetëve të fundit dhe është i pavarur me një profil të lartë si diplomat, si shef ekzekutiv i një prej organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare. Kjo i jep atij edhe shumë kredibilitet”.

Kredibiliteti rreth tij, thonë analistët, është rritur nga qëndrimi i pavarur që mbante si drejtor i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Studiuesi Shahin thotë se zoti ElBaradei ka edhe një karakter populist.

“Shumë lehtë mund ta asociosh veten me të. Nuk është shumë karizmatik, apo orator dhe nuk shprehet shumë qartë. Por mendoj se të le përshtypjen se është i sinqertë”.

Analistët thonë se zoti ElBaradei, i cili shihet si politikisht i moderuar, është bërë zëdhënës i frontit opozitar, i përbërë nga grupe të ndryshme, përfshirë nacionalistët, partitë e majta e të qendrës, si dhe Vëllazërinë Myslimane, organizata islamiste më e madhe dhe më e vjetër në Egjipt.
Ja si shprehet Fawas Gerges nga Shkolla Ekonomike e Londrës:

“Mohamed ElBaradei ka bërë shumë përpjekje për të fituar përkrahjen e lëvizjes Vëllazëria Myslimane. Ai vizitoi selinë e tyre, premtoi të punojë me të për të legalizuar partinë. Vëllazëria Myslimane është një lëvizje politike e shoqërore e ndaluar në Egjipt. ElBaradei ka bërë disa deklarata shumë pozitive në përpjekje për ta integruar Vëllazërinë Myslimane në strukturën shoqërore të Egjiptit”.

Studiuesi Gerges thotë se zoti ElBaradei është figura më e rëndësishme publike e opozitës.

“Ai është figurë uniteti. Nuk ka ndonjë tjetër në opozitë që të bashkojë zërat si ai. Ndryshe nga revolucioni në Iran në vitin 1979, në Egjipt nuk ka një Ajatollah Homeini, ndonjë klerik apo mulla me statusin apo rëndësinë e Mohamed ElBaradeit”.

Por ndërsa zoti ElBaradei është figura drejtuese e opozitës ndaj Hosni Mubarakut, disa analistë, përfshirë Aaron David Miller nga Qendra Studimore Ndërkombëtare Woodrow Wilson, thonë se gjërat duhen shikuar me maturi.

“Askush nuk duhet të mbështetet te një njeri i vetëm për t’u bërë pjesë e përhershme e politikës egjiptiane. Këto janë figura kalimtare, sepse nuk dimë sa duhet rreth tyre. Nuk dimë sa duhet për të parashikuar me bindje se kush do të shfaqet ose çfarë do të ndodhë në Egjipt”.

Sipas fjalëve të zotit Miller, duhet treguar maturi para se të identifikohet shpëtimtari politik në Egjipt.

XS
SM
MD
LG