Lidhje

Egjipt, Akuza të reja kundër ish-Presidentit Morsi


Kryeprokurori i Egjiptit ka paraqitur akuza të reja kundër ish-Presidentit Mohamed Morsi, përfshirë akuzën për komplote terroriste. Nëse shpallet fajtor për këto akuza, apo për akuzat e mëparshme për të cilat po gjykohet aktualisht, ai mund të dënohet me vdekje.

Mohamed Morsi akuzohet se ka nxjerrë sekrete shtetërore, ka sponsorizuar terrorizmin dhe ka kryer stërvitje të ngjashme me përgatitjet ushtarake, me synimin për të minuar stabilitetin e Egjiptit.

Ai akuzohet se bashku me 35 islamistë të tjerë, të gjithë anëtarë të lartë të Vëllazërisë Myslimane.

Media shtetërore egjiptiane transmetoi njoftimin e prokurorit të përgjithshëm, ku kishte plot akuza, por mungonin hollësitë.

Njoftimet e medias për lidhjet me elementë të huaj përmendnin organizata që nga grupi palestinez Hamas, deri tek Irani e rrjete të tjera, por nuk pati sqarime zyrtare. Avokati i zotit Morsi thotë se nuk ka parë akuza specifike.

Analisti politik Hisham Kassem thotë se ka plot mundësi:

"Çështja lidhet me Byronë ndërkombëtare të Vëllazërisë Myslimane, nëse dokumenta sekretë dolën nga presidenca dhe kaluan në duart e Hamasit apo dikujt tjetër. Duhet të shohim hollësitë e akt-padisë dhe të shohim nëse po respektohet procesi gjyqësor”.

Zoti Morsi ndërkaq po gjykohet nën akuzat se ka nxitur dhunë gjatë protestave kundër presidencës së tij vitin e kaluar. Ai u rrëzua nga ushtria në korrik, pas protestave masive kundër qeverisjes së tij.
XS
SM
MD
LG