Lidhje

BE, Synimet për republikat ish-sovjetike

  • Henry Ridgewell

Presidenti i Këshillit Evropian Herman van Rompuy vizitoi dje Gjeorgjinë, ndalesa e tij e fundit në një turne në vende ish-sovjetike me synimin për të nënshkruar Marrëveshjen e Asociimit me Bashkimin Evropian. Analistët thonë se marrëveshjet mund të thellojnë më tej tensionet mes Perëndimit dhe Moskës:

Herman van Rompuy u takua me Presidentin e Gjeorgjisë Giorgi Margvelashvili dje në Tbilisi dhe u zotua se BE do të nënshkruante Marrëveshjen e Asociimit brenda muajit qershor. Ky është hapi i parë në rrugën drejt antarësimit në Bashkimin Evropian.

“Për momentin Gjeorgjia nuk është e kërcënuar, por nuk përjashtohet ky rrezik prandaj ndodhemi këtu për të dëshmuar se Gjeorgjia nuk është e vetme; se Bashkimi Evropian, të 28 vendet anëtare të tij qëndrojnë përkrah Tbilisit dhe ne kemi një të ardhme të përbashkët”.


Në 2008 Rusia dhe Gjeorgjia u përfshinë në konflikt për rajonet separatiste të Abkazisë dhe Osetisë Jugore, të cilat Moska i njohu më pas si rajone të pavarura.

Evropa dhe Perëndimi shqetësohen se Moska po harton plane të ngjashme për Gjeorgjinë si për Ukrainën lindore, ku separatistët zhvilluan referendume për pavarësi të dielën. Rezultati ishte në favor të shkëputjes nga Kievi. Kritikët i cilësuan referendumet të paligjshme.

Para vizitës në Tbilisi, zoti Van Rompuy u prit në Moldovë të martën me nderime shtetërore. Kjo republikë ish-sovjetike pritet të nënshkruajë Marrëveshjen e Asociimit me Bashkimin Evropian më 27 qershor.

Ky është një sinjal se Perëndimi nuk po tërhiqet, thotë Nicholas Redman e Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike:

“Nënshkrimi i Marrëveshjes së Asociimit është një sinjal se evropianët janë të angazhuar seriozisht dhe se nuk do të tërhiqen, pra ata janë të gatshëm të masin forcën me Moskën për influencë dhe epërsi në rajonet ish-sovjetike”.

Aleanca e Moldavisë me Bashkimin Evropian ndërlikohet nga rajoni separatist pro-rus i Transnistrias, që ndodhet mes Moldavisë dhe Ukrainës. Ky rajon shpalli pavarësinë në 1990, por nuk është njohur nga shtete të tjera. Mbi një mijë trupa ruse janë të dislokuara në rajon.

Në komentet në prill, Presidenti Vladimir Putin tha se Transnistria nuk duhet të detyrohet të ndjekë shembullin e Moldavisë:

Presidenti Putin tha se një numër i madh shtetasish rusë jetojnë në Transnistria. Njerëzit kanë pikëpamjet e tyre si të ndërtojnë të ardhmen e tyre, fatin e tyre, tha ai. Nuk do të ishte asgjë më shumë se një manifestim i demokracisë nëse i lejojmë këta njerëz të bëjnë atë që duan, tha presidenti rus.

Dhuna e kohëve të fundit mes përkrahësve pro-rusë dhe atyre pro-Kievit në qytetin port të Odesës ka zgjuar shqetësimet për të ardhmen e rajonit të Transnistrias në Moldavi, thotë Orysia Lutsevych me institutin Chatam House:

“Si rezultat i nivelit të korrupsionit që kemi vërejtur në Ukrainë, Odesa ishte njëkohësisht qendër e kontrabandës me territore të tjera, ndër të cilat edhe Transnistrian. Po shohim rrënjët që lidhin këto rajone përmes korridorit jugor, që nga Transnistria, përmes Odesës e deri në Rusi”.

Përmes nënshkrimit të Marrëveshjeve të Asociimit me Gjeorgjinë, Moldavinë dhe ndoshta edhe Ukrainën, Evropa shpreson që muajin e ardhshëm të përfshijë këto vende ish-komuniste në sferën e saj të influencës. Analistët thonë se nuk pritet që Rusia t’u lejojë këtyre vendeve një tranzicion të lehtë drejt Evropës.
XS
SM
MD
LG