Lidhje

Molenbeek i Brukselit në qendër të hetimit për terrorizëm


Një lagje e varfër në Bruksel është në qendër të hetimit për sulmet terroriste të javës së kaluar në Paris. Belgjika ka numrin më të madh të qytetarëve në raport me popullsinë e saj që kanë shkuar të luftojnë për grupin terrorist Shteti Islamik.

Abdelhamid Abaaoud, organizatori i sulmeve të Parisit, u rrit në distriktin Molenbeek të Brukselit.

Ekstremisti tjetër Brahim Abdeslam që hodhi veten në erë pranë një restoranti në Paris, ishte pronari i një bari në Molenbeek. Vëllai i tij, Salah, një nga autorët e tjerë të sulmeve, po ndiqet nga policia.

Analistët e zbulimit thonë se ajo lagje është shndërruar në një vend që nxjerr ekstremistë.

“Molenbeek është një komunitet i braktisur. Ka një grup radikalësh jo shumë të madh, por shqetësues dhe ka ekzistuar për 20 ose 30 vjet. Kështuqë kemi parë njerëz në Molenbeek që janë bërë udhëheqësit e islamizmit radikal jo vetëm në Belgjikë por edhe në Evropë”.

Policia ka ndërmarrë disa bastisje në gjithë qytetin e Molenbeekut. Banorët thonë se ndjehen nën presion nga të gjitha anët.

“Tani duhet t’i shikojmë me kujdes të rinjtë. Nuk e di se ç’mendime kanë në kokë, nuk e kam idenë", thotë Azizi, një banor i Molenbeekut.

Në vitin 2001, vrasësit e komandantit afgan anti-taleban Ahmad Shah Massoud kishin qenë në Molenbeek.

Edhe një nga organizatorët kryesorë të sulmeve me bomba në trenat e Madridit në vitin 2004, jetonte në këtë distrikt.

Në vitin 2014, katër persona u vranë në një sulm me armë ndaj Muzeut Hebraik në Bruksel. I dyshuari kryesor kishte qendruar në Molenbeek.

Ayoub El Khazzani – i cili u përpoq të kryente një sulm me armë në një tren që shkonte drejt Parisit në gusht dhe që u parandalua nga dy amerikanë, kishte banuar në të njëjtën zonë.

“Belgjika ka një problem të madh me radikalizimin e qytetarëve të vet. Shumë kanë shkuar si vullnetarë për ISIS-in dhe madje edhe për al-Nusrën.”

Analisti Sajjan Gohel thotë se terroristët po shfrytëzojnë kufijtë e hapur të Evropës.

“Po shohim një urë mes Belgjikës dhe Francës që po përdoret për aktivitet terrorist, dhe shfrytëzohet nga ISIS”.

Ministri i Jashtëm i Belgjikës u pyet këtë javë nëse vendi i tij është një hallkë e dobët në luftën kundër terrorizmit.

“Nuk dua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Ne jemi një pikë e fortë. Ne po përpiqemi të luftojmë në mënyrë shumë efektive”.

Autoritetet thonë se kanë parandaluar disa sulme terroriste. Por presioni po shtohet ndaj Belgjikës për të marrë masa ndaj ekstremizmit islamist në zemrën politike të Evropës.

XS
SM
MD
LG