Lidhje

Milo Gjukanoviç nuk do të jetë më kryeministër i Malit të Zi


Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe pritet të zëvendësohet nga aleati i tij i ngushtë Dushko Markoviç, që do të jetë kandidat për postin e kryeministrit, që do të provojë të formojë qeverinë e re dhe do të drejtojë Partinë Demokratike të Socialistëve.

Milo Gjukanoviç ka drejtuar Malin e Zi, qoftë si kryeministër apo president për një çerek shekulli, me dy ndërprerje në vitin 2006 dhe vitin 2010 dhe është zyrtari që ka qëndruar më së gjati në pushtet në rajon. Opozita e akuzon atë për autoritarizëm dhe korrupsion.

Vendimi pasoi zgjedhjet e 16 tetorit nga të cilat Partia Demokratike e Socialistëve doli fituese me 36 vende në parlamentin 81 vendësh, por është detyruar të kërkojë koalicion me Partinë e vogël Socialdemokrate dhe partitë e pakicave kombëtarë për të formuar qeverinë.

Emërimi i Dushko Markoviçit për postin e kryeministrit pritet të konfirmohet gjatë së mërkurës nga Këshilli drejtues i partisë. Ai është zëvendës kryetar i partisë dhe ish shef i Agjencisë malazeze të sigurisë.

Milo Gjukanoviç, nuk tha nëse do të braktisë politikën apo do të vazhdojë të qëndrojë në Partinë Demokratike të Socialistëve.

Zgjedhjet e 16 tetorit mbetën nën hijen e arrestimit të 20 qytetarëve serbë të akuzuar se kanë përgatitur një përbetim për sulme të armatosura dhe pretendimeve të opozitës për mashtrime gjatë votimeve.

Zyra e prokurorit të Malit të Zi tha se grupi i arrestuar kishte planifikuar të sulmojë qytetarët përballë Parlamentit pasi të jenë shpallur rezultatet e zgjedhjeve dhe pastaj të hyjë në ndërtesë dhe ta arrestojë Milo Gjukanoviçin.

"Ne kemi një prani të fuqishme të aktorëve të huaj në Mal të Zi', tha ai të martën, duke lënë të kuptohet se Rusia ishte përfshirë në ngjarjet e 16 tetorit dhe duke akuzuar opozitën për bashkëpunim me Kremlinin.

Rusia kundërshton anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Udhëheqësit e opozitës kishin vizituar shpesh Moskën para zgjedhjeve.

Rusia ka organizuar një fushatë propaganduese për të mbajtur nën sferën e saj të interesit Serbinë dhe Malin e Zi, vende që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gjatë fushatës së zgjedhjeve Milo Gjukanoviç, i përshkroi votimet si një zgjedhje të Malit të Zi më 620 mijë banorë ndërmjet integrimit në NATO e BE apo thellimit të lidhjeve me Serbinë dhe Rusinë.

Pasi që kishte mohuar përfshirjen e Serbisë në zgjedhjet në Malin e Zi, të hënën kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, tha se një numër personash janë arrestuar në Serbi pas "grusht shtetit të pretenduar në Mal të Zi".

Ai tha se të arrestuarit nuk kanë lidhje më politikanët e asnjërit prej të dyja vendeve, por kanë lidhje me një vend të tretë de me grupe kriminale, por nuk tha se për cilin vend bëhet fjalë.

XS
SM
MD
LG