Lidhje

Mali i Zi mes përplasjeve ndërmjet perëndimit dhe Rusisë


Mali i Zi, i cili aspiron anëtarësimin në NATO, vështirë se mund të jetë një forcë ushtarake mbresëlënëse, me katër avionë ushtarak në shitje dhe dy luftanije që rrallë mund të jenë larguar nga portet. Me dy mijë ushtarë, vendi piktoresk i ngjeshur mes malesh të larta dhe detit Adriatik, vështirë se do të forconte mbrojtjen e perëndimit në një përplasje më Rusinë.

Por, pavarësisht madhësisë, Mali i Zi e ka gjetur veten në mes të përplasjeve ndërmjet perëndimit dhe Moskës mbi ndikimin e tyre në rajonin e Ballkanit.

Rezultati i përplasjeve mund të jetë përcaktues se cilën rrugë do të zgjedh Ballkani, drejt Bashkimit Evropian, NATO-s dhe integrimeve tjera perëndimore, apo prapa në përqafimin e Rusisë.

"Është e qartë se tensionet Lindje - Perëndim kanë lënë pasoja në gjendjen politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimorë", i tha agjencisë së lajmeve Associated Press, ish kryeministri malazez Milo Gjukanoviç, i cili ka shprehur frikën se tensionet mund të ngadalësojnë përpjekjet e Malit të Zi për t'u integruar në Bashkimin Evropian.

Qëndrimi properëndimorë i tij e shndërroi atë në shënjestër të një grusht shteti të dyshuar në ditën e zgjedhjeve në tetor të vitit të kaluar, me ç'rast u tha se operativët e shërbimit sekret rus kishin planifikuar vrasjen e tij, rrëzimin e qeverisë dhe zëvendësimin e saj më një regjim kukull.

Mali i Zi ishte aleat i besueshëm i Rusisë, por pas ndarjes nga Serbia në vitin 2006, ndërroi qasjen duke u orientuar drejt integrimeve euroatlantike. Rusia kundërshton fuqishëm zgjerimin e aleancës ushtarake perëndimore në rajonin që ajo e sheh si sferë strategjike të interesit.

E kujdesshme ndaj rajonit ende të paqëndrueshëm, NATO-ja dëshiron ta ketë Malin e Zi në kuadër të saj. Anëtarësimi i Malit tyë Zi është miratuar nga 25 vendet anëtare të aleancës me 28 anëtarë.

Senatorët amerikanë ende nuk e kanë miratuar atë mes frikës në Mal të Zi dhe rajon që administrata e re e Presidentit Donald Trump është tepër i butë kundrejt presidentit rus Vladimir Putin dhe nuk do të bëjë asgjë për të zgjerimin e ndikimit të tij.

Kremlini e ka mohuar përfshirjen në ngjarjet e tetorit, por haptazi ka bërë fushatë kundër NATO-s jo vetëm në Mal të Zi por edhe në vendet fqinjë si Serbia, Bosnja dhe Maqedonia dhe ka mbështetur grupet dhe zyrtarët nacionalist pro rus në këto vende.

Andrija Mandiç, udhëheqës i Fronit Demokratik në opozitë, tha se Mali i Zi nuk do të duhej të ishte pjesë e NATO-s por të ruaj lidhjet e ngushta me vëllezërit sllavo-ortodoks në Rusi.

"Unë jam nga ata që e kanë mbështetur shtetin e përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi dhe duhet ta dini se praktikisht gjysma e këtij vendi është e orientuar në atë anë, edhe sot e kësaj ditë", tha ai.

Analistët thonë se prapa tensioneve qëndrojnë qëllime më të mëdha strategjike. Për Rusinë, kjo nënkupton qasje në portet e deteve të ngrohta për luftanijet e saj në Mesdhe si dhe mirëmbajtjen e interesave politike dhe ekonomike.

Për NATO-në, synimi është që të mbajë marinën ruse larg ujërave të ngrohtë" dhe për të përfshirë Malin e Zi si vendin e fundit në Adriatik që nuk është pjesë e aleancës.

"Rusia beson se Ballkani Perëndimorë është pjesërisht në sferën e saj të interesit", tha Gennady Sysoev, korrespondent i të përditshmes ruse Komersant. Kjo mbështetet në faktin se ndjenjat pro ruse këtu janë ende të fuqishme", tha ai.

Mali i Zi mbetet thellësisht i ndarë ndërmjet atyre që janë për dhe kundër integrimeve perëndimore. Si aleat i Serbisë, Mali i Zi ishte bombarduar në vitin 1999 nga NATO-ja e cila nisi sulmet ajrore për t'i dhënë fund shtypjes së shqiptarëve në Kosovë. Kjo e bëri NATO-n shumë jopopullore në vendet e dominuara nga të krishterët ortodoks.

"Jam kundër NATO-s, sepse nuk mund të harroj bombat e hedhura prej saj këtu dhe në Serbi", tha Stanko Lazarevic, një peshkatar në fshatin Bigova, derisa po hidhte rrjetat për peshk.

Por, Milorad Novakoviç, një pensionist, mendon se është interes parësor i Malit të Zi që t'i bashkohet NATO-s.

"Tash u takon politikanëve që të vënë në drejtpeshim marrëdhëniet me Rusinë dhe të provojnë të ruajnë një shkallë të marrëdhënieve të mira me Moskën", tha ai në Podgoricë.

XS
SM
MD
LG