Lidhje

Mali i Zi merr ftesën për në NATO


Ministrat e jashtëm të Natos ftuan Malin e Zi sot të bashkohet në aleancën ushtarake në zgjerimin e saj të parë që nga viti 2009, duke sfiduar paralajmërimet e Rusisë se zgjerimi i bllokut të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara më tej në Ballkan do të shihej si një provokim.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos Jens Stoltenberg tha se ftesa për Malin e Zi nuk ka të bëjë me Rusinë:

"Vendimi për të ftuar Malin e Zi nuk është kundër askujt, por për të ndarë sigurinë tonë. Mendoj se është shumë e rëndësishme të nënvizojmë se çdo vend ka të drejtën të vendosë rrugën etij, marrëveshjet e tij të sigurisë dhe pyetja nëse Mali i Zi do të bëhet anëtar i Natos është në dorë të vet Malit të Zi dhe të 28 aleatëve të Natos për t’u vendosur. Askush tjetër nuk ka të drejt të ndërhyjë në këtë vendim”.

Por diplomatët e Natos kanë thënë se vendimi i dërgon një mesazh Moskës se nuk ka forcën e vetos për zgjerimin e Natos në lindje, edhe nëse mundësia e anëtarësimit të Gjeorgjisë u komplikua nga lufta e saj me Rusinë në vitin 2008.

Moska kundërshton çdo zgjerim të Natos në zonat ish komuniste në lindje dhe juglindje të Evropës, pjesë e një lufte lindje-perëndim për influencë mbi ish satelitët sovjetik që është në qendër të krizës në Ukrainë.

Ministri i jashtëm i Malit të Zi Igor Luksiç u tha homologëve të tij pas ftesës së anëtarësimit se vendi i tij është gati të qëndrojë i bashkuar me aleancën:

"Këto janë kohë shumë sensitive dhe sfiduese për aleancën. Ne e kuptojmë se bashkimi dhe solidariteti janë të nevojshëm tani më shumë se kurrë. Mund t’u siguroj që Mali i Zi vepron tashmë si anëtari i 29-të duke dhënë kontribut në stabilitetin euro-atlantik. Jemi të gatshëm të ndajmë sfidat dhe të qëndrojmë krah për krah me aleatët”.

Agjencia ruse e lajmeve RIA citoi një senator rus të ketë thënë se Rusia do t’u japë fund projekteve të përbashkëta me Malin e Zi në se vendi ish komunist bashkohet me aleancën. Mali i Zi me 650 mijë banorë pritet të bëhet zyrtarisht anëtar vitin e ardhshëm.

Zoti Stoltenberg tha se pret që bisedimet e anëtarësimit të kryehen me shpejtësi. Kjo sugjeron se Mali i Zi mund të bëhet anëtar në takimin e nivelit të lartë të Natos në muajin korrik në Varshavë.

XS
SM
MD
LG