Lidhje

Mali i Zi i barabartë në samitin e NATO-s


Mali i Zi nga sot për herë të parë merr pjesë si i barabartë në një takim të nivelit të lartë të Aleancës më të madhe ushtarake në botë, atë të NATO-s. Kurse nga 5 qershori do të jetë edhe zyrtarisht anëtari i 29-të i Aleancës Veriatlantike.

Qeveria e Malit të Zi konfirmoi se kryeministri malazez, Dushko Markoviç, iu bashkua për herë të parë aleatëve në takimin e sotëm në Bruksel.

“Parlamentet e të 28 aleatëve dhe Parlamenti i Malit të Zi kanë ratifikuar pranimin e këtij vendi në NATO. Ky është një hap përpara për Malin e Zi, për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe për vizionin tonë për një Evropë të lirë dhe në paqe”, tha Sekretari i përgjithshëm i Nato-s, Jens Stoltenberg.

NATO i ka dhënë Malit të Zi planin për anëtarësim qysh në vitin 2009, ndërsa më 2015 i ka bërë ftesë për t’iu bashkuar aleancës.

Procesi ka shkaktuar fërkime me Moskën, e cila ka bërë përpjekje që ta ketë Malin e Zi në sferën e saj të ndikimit.

Prej që Mali i Zi është ndarë nga Serbia në vitin 2006, Moska ka kultivuar lidhje të ngushta me republikën ish-jugosllave, ndërsa investitorët por edhe turistët rusë kanë qenë ndër vizitorët më të shpeshtë në këtë vend.

Nga viti i kaluar afërsia e tyre është kthyer në armiqësi pasi Mali i Zi ka fajësuar Rusinë për një komplot për grusht shteti dhe për vrasjen e ish-kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviç.

Rusia, në anën tjetër, ka ndërprerë investimet në Mal të Zi, ka zvogëluar turizmin atje, ndërsa, së fundmi, ka ndaluar edhe importin e verës malazeze.

​“Jemi të përgatitur për çdo veprim të Rusisë, por asgjë nuk do të na pengojë në rrugën që kemi vendosur të marrim”, u tha gazetarëve, ditë më parë, kryeministri malazez, Dushko Markoviç.

Mali i Zi, vend me rreth 630,000 banorë, ka një ushtri të vogël, me rreth 2,000 ushtarë aktivë.

Me anëtarësimin e Malit të Zi, NATO bën zgjerimin e parë që nga viti 2009, kur në radhët e saj asokohe kanë hyrë Shqipëria dhe Kroacia.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG