Lidhje

Protesta në Mal të Zi: goditet me gurë ambasada shqiptare


Të shtunën në mbrëmje, gjatë protestave që po zhvillohen në Podgoricë është goditur me gurë Ambasada e Shqipërisë në Mal të Zi.

Ministria e Punëve të Brendëshme në Mali të Zi bëri të ditur se një grup protestuesish që vinin nga Nikshiqi, qytet afër Podgoricës, gjuajtën me gurë në drejtim të Ambasadës së Shqipërisë, duke shkaktuar dëme të vogla në godinë.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati, komentoi në twitter, duke thënë se "ky ishte një sulm i papranueshëm ndaj ambasadës sonë në Mal të Zi nga demonstruesit. I kam kërkuar autoriteteve malazeze që të marrin masa për sigurinë e ekipit të ambasadës sonë".

Protesta e opozitës malazeze "Fronti Demokratik" nisi sonte në orën 19 dhe do të zgjasë deri në orën 6 të mëngjesit. Sipas të dhënave të mediave të pavarura në protesta marrin pjesë afro 5 mijë protestues të ardhur nga disa qytete të Malit të Zi.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Gjukanoviq dhe formimin e një qeverie të përkohëshme, e cila do të kishte një përfshirje të gjerë të partive politike parlamentare.

Opozita e Bashkuar Malazeze, kohë më parë, organizoi edhe një protestë kundër anëtarësimit në NATO gjë që sipas analistëve malazezë, tregon qëllimin e vërtetë të opozitës, destabilizimin e Malit të Zi dhe rajonit.

Përmes një komunikate për opinion, policia malazeze shprehu shqetësimin se protestat që po zhvillohen në Podgoricë mund të bëhen të dhunshme, pasi sipas tyre marrin pjesë edhe persona të dyshuar dhe të lidhur me krimin.

Protestat e opozitës po shkallëzohen në kohën kur Mali i Zi është kandidat për anëtarësim në BE dhe pritet që brenda këtij viti të marrë ftesën për anëtarësimin në NATO.

j

XS
SM
MD
LG