Lidhje

Podgoricë: Arrestohen 20 shtetas të Serbisë


Drejtori i policisë së Malit të Zi, Slavko Stojanoviç, tha të dielën se janë arrestuar 20 persona nga Serbia, ndërsa policia është venë në kërkim edhe të një personi, nën dyshimin për krijimin e një organizate kriminale dhe veprime terroriste.

"Është e vërtetë se drejtoria e policisë në bashkëpunim me Agjencinë për Siguri Kombëtare dhe me urdhër të prokurorisë së posaçme shtetërore, ka arrestuar 20 persona, shtetas të Serbisë, ndërsa është vënë në ndjekje të një personi tjetër po ashtu nga Serbia", tha ai.

Sipas drejtorit Stojanoviç, ata kishin kryer në territorin e Malit të Zi, veprat penale "themelim i organizatës kriminale dhe terrorizëm. Ata, siç dyshohet, kanë hyrë në Malin e Zi dhe kishin për qëllim që pasi të armatoseshin me armë automatike, të kryejnë sonte sulme mbi institucionet e sistemit, policinë dhe përfaqësuesit e organeve shtetërore, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e sulmeve mbi zyrtarë të lartë të shtetit", citohet të ketë thënë Stojanoviç.

Mediet në Mal të Zi thanë se në mesin e grupit ishte edhe ish-komandanti i xhandarmerisë serbe,BratislavDikiç dhe se gjatë natës së kaluar është zbuluar vendndodhja e tyre në afërsi të Podgoricës, kryeqytetit malazez.

Po ashtu, sipas medies lokale malazeze, qarqe policore jo zyrtarisht kanë njoftuar se grupi në fjalë ka hyrë në Mal të Zi “në bazë të marrëveshjes me një grup politik”, me qëllim që të shkaktojë konflikt të armatosur në ditën e zgjedhjeve parlamentare.

Autoritetet serbë thanë ndërkaq se po presin informacion zyrtar nga Podgorica para se të komentojnë njoftimet për arrestimet e sotme të shtetasve të Serbisë.

Në Mal të Zi sot mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare. Drejtoria e policisë malazeze para tri ditësh paralajmëroi mundësinë që gjatë natës zgjedhore në vend të shkaktohet dhunë, transmetojnë këto media.

Dikiç, aktualisht është kryetar i Fronti Patriotik të Serbisë, organizatë nacionaliste e lidhur me qarqet ekstreme ruse. Vitin e kaluar në qytetin e Nishit në jug të Serbisë ai organizoi protesta kundër NATO-s, ndërkohë që dyshohet se protesta të ngjashme organizoi edhe në kryeqytetin e Malit të Zi në Podgoricë.

XS
SM
MD
LG