Lidhje

Monti përballet me protesta në parlament

  • Zëri Amerikës

Monti përballet me protesta në parlament

Monti përballet me protesta në parlament

Kryeministri italian Mario Monti u përball sot në parlament me protesta nga ana e senatorëve, të cilët kundërshtojnë masat e ashpra të kursimit që planifikon qeveria e tij. Në Itali janë rritur shenjat e pakënaqësisë ndërkohë që zoti Monti po paraqet masa të dhimbshme të cilat pritet të miratohen nga parlamenti gjatë ditëve të ardhëshme para pushimeve të Krishtlindjes.

Anëtarët e Ligës Veriore, aleate në qeverinë e mëparshme të Silvio Berluskonit, fishkëllenin duke mbajtur në duar parrulla ku lexohej “Mjaft taksave”.

Thirrjet dhe fishkëllimat e detyruan kryetarin e Dhomës ta pezullonte përkohësisht seancën.

Emërimi i zotit Monti si kryeministër "teknokrat" synonte të siguronte tregjet se Italia është serioze në përpjekjet për reformimin e financave të saj. Kryeministri i tha sot Senatit se qeveria mund të shikojë mundësinë e një takse mbi transaksionet financiare si mënyrë për uljen e barrës tatimore për familjet.

"Një mënyrë që kompanitë dhe familjet të taksohen më pak është duke mos përjashtuar mundësinë e tatimit të transaksioneve të mëdha financiare," tha kryeministri Monti para se të ndërpritej disa herë nga protestuesit e Ligës Veriore.

Një taksë e tillë ishte refuzuar nga qeveria Berlusconi.

"Nuk jemi në një stadium futbolli. Mos më detyroni të marr masa disiplinore", tha kryetari i Dhomës në përpjekje për të vendosur rregull.

Meqenëse protestat nuk pushuan, ai deklaroi pezullimin e seancës.

Pas rivendosjes së qetësisë, senatori i Lidhjes Veriore, Masimo Garavaglia kritikoi politikat e zotit Monti për zgjidhjen e vështirësive financiare të vendit.

"Ju, Profesor Monti, keni bërë një gabim në strategji, sepse shkuat atje për të shitur sakrificat e pensionistëve, të biznesmenëve dhe kompanive të vogla, me një kontratë të nënshkruar qysh më parë, pa marrë asgjë si shpërblim."

Monti është shprehur se do të bëjë lëshime të vogla për të ndihmuar familjet, por synon ta çojë drejt miratimit të gjithë paketën e masave shtrënguese.

Qeveria italiane po përpiqet të stabilizojë financat, për të ulur borxhin dhe nxitur rritjen ekonomike. Borxhi i Italisë është aktualisht 120 përqind e prodhimit të përgjithshëm kombëtar.

XS
SM
MD
LG