Lidhje

Monumentet, në kopje virtuale

  • GEORGE PUTIC

Shkatërrimi i monumenteve të lashta në Siri ishte një kujtesë për botën se objektet e pazëvendësueshme të trashëgimisë botërore mund të humbasin përgjithmonë, si rezultat i luftërave apo ndonjë katastrofe natyrore. Duke përdorur teknologji me kosto të përballueshme, studiuesit e Universitetit të Indianës, në bashkëpunim me ekspertë të artit nga Galeria e famshme Uffizi (Ufici) në Firence, ka nisur një projekt 5-vjeçar për të krijuar kopje virtuale të skulpturave të lashta greke dhe romake të muzeut. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, George Putic sjell hollësitë.​

Shumë nga 1,250 skulpturat e lashta të ekspozuara në Galerinë Uffizi kanë shërbyer si frymëzim për artistët dhe si objekte studimi për historianët dhe antropologët. Shkatërrimi i njërës nga këto skulptura do të ishte një humbje e përhershme.

Ruajtja ultra-afatgjatë e objekteve fizike në formë dixhitale, e quajtur fotogrametri, në të kaluarën ka qenë një proces i ngadaltë dhe i shtrenjtë. Por tani kjo ka ndryshuar, thotë udhëheqësi i projektit, profesori i Universitetit të Indianës, Robert Frischer.

"Tani ne mund të mbledhim të dhëna 3D të një statuje me përmasat e saj të sakta fizike, për një orë e gjysmë, dhe mund të bëjmë përpunimin e të dhënave për një ose dy orë".

Imazhet jashtëzakonisht të sakta mund të shqyrtohen nga të gjitha anët. Zmadhimi i tyre nuk e ul rezolucionin e imazhit, por nxjerr në pah më shumë detaje.

Profesor Frischer thotë se programi i veçantë madje e bënë të mundur një përmbledhje të rrethanave historike të lidhura me skulpturat.

"Toka lëkundet gjatë rrotullimit rreth boshtit të saj dhe rreth diellit, dhe sot qielli nuk duket njësoj si njëqind vjet më parë, ose disa mijëra vjet më parë."

Synimi përfundimtar është vendosja e objekteve në një mjedis të restauruar dixhital me aftësinë për të ndryshuar kushtet rreth tyre.

"Instalimi i atmosferës, pozicionit të diellit, yjeve, hënës, ose vendosja e njerëzve në formën e avatarëve duke lëvizur, për të parë dhe kuptuar sjelljen e njeriut në të kaluarën në këto hapësira dhe objekte dekorative, si vepra arti në hapësira të caktuara".

Pas përfundimit të këtij projekti, kopjet dixhitale të statujave të lashta do të publikohen në disa faqe interneti dhe do të jenë në dispozicion të publikut.

XS
SM
MD
LG