Lidhje

Moody’s paralajmëron ulje të mundshme të vlerësimit për tregun francez

  • Mil Arcega

Moody’s paralajmëron ulje të mundshme të vlerësimit për tregun francez

Moody’s paralajmëron ulje të mundshme të vlerësimit për tregun francez

Agjencia e vlerësimit të kreditimeve Moody paralajmëron se mund të ulë vlerësimin për Francën gjatë tre muajve të ardhshëm nëse buxheti i këtij vendi rëndohet më tej për të shpëtuar nga falimentimi bankat e rrezikuara nga kriza e borxheve. Franca është zotuar se tregu i saj do ta ruajë vlerësimin e lartë që ka aktualisht. Siç shpjegon materiali në vazhdim, një rënie e vlerësimit të tregut francez mund të ndërlikojë më tej përpjekjet e Bashkimit Evropian për të stabilizuar rajonin:

Franca, ekonomia numër dy e eurozonës, është nën presion për të gjetur zgjidhje për problemet në rritje nga borxhet masive të vendeve të këtij grupi. Duke pasur parasysh rritjen e dobët të ekonomisë franceze këtë vit dhe ndikimin negativ të borxhit grek, agjencia Moody paralajmëron se Franca mund të detyrohet të zbatojë një plan të kushtueshëm për stabilizimin e bankave.

Robert Halver i bankës Baader Bank AG thotë se ky është një rrezik real:

“Për sa i përket ekonomisë, ka dobësim të padiskutueshëm dhe ajo që është më e rëndësishmja është se Franca dhe politikat e saj së bashku me Gjermaninë nuk janë në gjendje të gjejnë një zgjidhje të qartë dhe afat-gjatë për eurozonën. Prandaj agjencitë e vlerësimit të kreditit kanë çdo gjë në dorë për të ulur vlerësimin për Francën”.

Ky paralajmërim pason uljen e vlerësimit të kreditimit për Spanjën dhe u bë vetëm 2 ditë para një takimi të rëndësishëm të Bashkimit Evropian që synon forcimin e fondit evropian të stabilitetit financiar.

Ekonomisti Xhejms Eshli i firmës RBC Capital Markets parashikon një farë përparimi:

“Mendoj se do të shohim hapa të rëndësishëm përpara gjatë fundjavës, por nuk mendoj se do t’i vijë fundi krizës. Nuk mendoj se të hënën do të vërejmë që tregjet financiare do të reagojnë sikur ka mbaruar kriza. Por do të shohim hapa të rëndësishëm përpara lidhur me Greqinë, reformat në sektorin financiar dhe angazhimin e sektorit privat në paketat e ardhshme të ndihmave”.

Pavarësisht nga dëmi i shkaktuar në besimin e investitorëve, tregjet evropiane treguan shenja optimiste dje. Nathalie Pelras, e cila administron një fond investimesh, thotë se paralajmërimi i agjencisë Moody ishte një nxitje tjetër për veprim:

“Është një thirrje tjetër që qeveritë të marrin masa gjatë 3 muajve të ardhshëm. Është një masë paralajmëruese dhe një sinjal pozitiv nga agjencia e cila për herë të parë po thotë: kujdes, por pa bërë uljen e vlerësimit”.

Tregjet financiare kanë përjetuar luhatje të mëdha nga një ditë në tjetrën në pritje të një plani dramatik që do të stabilizonte vendet e mbytura nga borxhet si Greqia dhe do të garantonte mbarëvajtjen e 17 vendeve që përdorin monedhën euro.

XS
SM
MD
LG