Lidhje

Moore: SHBA të interesuara që shqiptarët të kenë besim te zgjedhjet dhe institucionet


Jonathan Moore
Jonathan Moore

Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit u takua në Tiranë me forcat kryesore politike të vendit

Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit Jonathan Moore tha sot në Tiranë se Shtetet e Bashkuara janë të interesuara që qytetarët shqiptarë të kenë besim të zgjedhjet dhe institucionet. Ai bëri këto komente në përfundim të takimit me kryetarin socialist Edi Rama, i pari në serinë e bisedimeve që ai zhvilloi sot edhe me Kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta.

Muajin e kaluar vizita e zyrtarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Moore përkoi me vendimin e shumicës së djathtë për zëvendësimin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe dorëheqjet e tre anëtarëve të tjerë që e pasuan si shenjë proteste. Në atë kohë ai shprehu shqetësim për pamundësinë e funksionimit normal të KQZ-së. Sot ky problem mbetet ende i hapur dhe ishte pjesë e bisedimeve që ai pati me udhëheqësit e forcave kryesore politike në vend.



I pyetur nga gazetarët në përfundim të një takimi që zgjati afër një orë me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, nëse shpresonte për një marrëveshje për KQZ-në, zoti Moore tha: “Edhe në të shkuarën, ne e kemi shprehur qëndrimin tonë për zgjedhjet, sikurse edhe ambasadori ynë e ka bërë të qartë se duam që populli shqiptar të ketë besim në procesin elektoral, në institucionet dhe tek rezultati i zgjedhjeve”

Përmendja e ambasadorit Aleksandër Arvizu dhe qëndrimeve të tij lidhur me zgjedhjet duke se ishte një mënyrë për të rikonfirmuar publikisht mbështetjen ndaj tij, pas toneve të forta që Kryeministri Berisha përdori pak ditë më parë kur tha se “askush nuk ka mandat të interpretojë ligjet e një vendi tjetër”, ndërsa komentoi thirrjen e zotit Arvizu që në seancën parlamentare ku pritet të miratohen ligjet e kërkuara nga Brukseli të shfrytëzohej edhe mundësia për konstituimin e KQZ-së.

Zyrtari amerikan Moore dhe ambasadori Arvizu u takuan pasdite me Kryeministrin Berisha dhe deri vonë nuk pati asnjë njoftim publik për çështjet specifike të biseduara mes tyre. Ndërkohë që para këtij takimi, zoti Moore, takoi edhe kandidatin për deputet të Partisë Demokratike Eduard Selami i rikthyer në politikë pas një mungese të gjatë. Zoti Moore nesër pritet që të japë më shumë hollësi rreth bisedimeve që ka patur në këtë vizitë të dytë në Tiranë.
XS
SM
MD
LG