Lidhje

KQZ, Moore: Palët s’janë të gatshme për kompromis


Zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit iu referua rolit që mund të luajë Kolegji Zgjedhor pavarësisht se “kjo nuk është zgjidhja e duhur”, tha ai

Në Shqipëri Drejtori për Europën Jugore dhe Qëndrore në Departamentin e Shtetit Jonathan Mooore, tha sot se palët në Shqipëri nuk janë të gatshme për një kompromis për cështjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Duke e konsideruar problematike funskionimin jo të plotë të KQZ ai shtoi se ka instance të tjera që mund të plotësojnë boshllëkun në Komision, duke ju referuar Kolegjit zgjedhor, pavarësisht se ai pranoi që kjo nuk do të ishte zgjidhja e duhur. Këto komente ai bëri në përfundim të një serie takimesh që pati gjatë dy ditëve të qëndrimit në Tiranë e të cilat ishin përqëndruar te cështja e zgjedhjeve

Vizita e zotit Moore u prit me interes të vecantë, edhe sepse ishte e dyta brenda një harku kohor 5 javor. Në prill debatet për Komisionin qëndror të Zgjedhjeve sapo ishte ndezur dhe në atë kohë zoti Moore shprehu shqetësim të thellë për funksionimin e tij me katër anëtarë. Që nga ajo kohë deri tani asgjë nuk ndryshoi. Opozita nuk i zëvendësoi tre anëtarët e dorëhequr duke kërkuar rikompozim të KQZ-s, ndërsa kryeministri Sali Berisha e refuzoi kategorikisht një mundësi të tillë. Dhe këtë ai e bëri të qartë edhe gjatë takimit të djeshëm me zotin Moore.

SHBA-të në të vërtetë u përpoqën për të ndërmjetësuar një zgjidhje por sic tha sot zoti Moore “nuk kemi dëgjuar nga opozita që do të ishin të gatshëm që të mund të bënin plotësimin e KQZ me ndryshime gjithë përfshirëse, por edhe nga ana e qeverisë nuk dëgjuam që ata janë të gatshëm për të bërë ndryshime thelbësore”. Zoti Moore përsëriti se “Nuk ka asnjë diskutim se KQZ ka një rol shumë qëndror për të luajtur dhe gjithashtu nuk mund të vihet në pikëpyetje fakti se KQZ pa shtatë anëtarët e saj, nuk mund mund të luajë dot një rol të plotë”, tha ai duke theksuar se nuk kishte ardhur në Shqipëri për të ndrequr KQZ-n. “Ka patur shumë diskutime në nivele të ndryshme mes partive për KQZ. Dera nuk është plotësisht e mbyllur. Do të donim të shihnim kompromis si nga qeveria dhe nga opozita në mënyrë që KQZ të kishte 7 anëtarë. Përshtypja ime është se as qeveria dhe as opozita nuk janë të përgatitura për të patur 7 anëtarë. Por edhe nëse do i ketë apo jo, duket se të gjitha partitë janë gati për të ecur drejt zgjedhjeve”, ritheksoi zoti Moore.

Zyrtari i Dash u shpreh se “ka institucione të tjera që kanë një rol për të luajtur”, duke ju referuar këtu Kolegjit Zgjedhor, ndonëse ai pranoi se “nuk mund të them që kolegji është një zgjidhje. Zgjidhja do të ishte kompromisi dhe diskutimet e mëtjshme mes qeverisë dhe opozitës në mënyrë që të kishte një konstituim të plotë të KQZ. Por asnjëra palë nuk po përpiqet që ta bëjë këtë. Ata po fokusohen te fushata. Roli i Kolegjit është i llojit të ndryshëm por është pjesë e strukturave që merren me zgjedhjet. Nuk do të ishte një situatë perfekte kur Shqipëria, nëse KQZ nuk do të ishte e plotë, do të mbështetej në institucione të tjera të cilat janë gjithashtu kushtetuese”, tha ai. Sipas tij, “edhe partitë e tjera që kanë tërhequr anëtarët e tyre nga KQZ kanë përgjegjësitë e tyre për funksionimin e këtij institucioni dhe vecanërisht në rolin e tij për certifikimin e rezultateve për të cilat nevojitet një shumicë prej 5 anëtarësh”.

Gjatë bisedës së tij me gazetarët shqiptarë sot pasdite zoti Moore disa herë i mëshoi faktit se ambasadori Aleksandër Arvizu ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit. “Ambasadori është përfaqësuesi personal i Presidentit të SHBA. Ajo cfarë ai thotë mbështetet nga të gjithë ne në Uashington. Ambasadori ynë po bën një punë të shkëlqyer”, tha zoti Moore. Ambasadori Arvizu u vu në qendër të toneve të ashpra të kryeministrit Berisha pak ditë më parë. Duke komentuar thirrjen e zotit Arvizu për konstituimin e KQZ-s në seancën e parlamentit ku pritet të votohen ligjet e kërkuara nga Brukseli, kryeministri deklaroi se “askush nuk ka mandat të interpretojë ligjet e një vendi tjetër”. Por zoti Moore shpjegoi se “unë dhe ambasadori jemi të takuar së bashku me kryeministrin por dhe me të tjerë dje, ku qartazi kryeministri e kuptoi se ambasadori ka mbështetjen tonë të plotë dhe patëm një diskutim gjithpërfshirës lidhur me cështjet e brendshme por edhe me politikën e jashtme”, u shpreh zyrtari I Departamentit amerikan të Shtetit.
XS
SM
MD
LG