Lidhje

Moore: Vendimi për Gjykatën e posaçme, i vështirë por i drejtë

  • Arben Xhixho

Drejtori i zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore shpreh mbëshetjen amerikane për futjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe. Në një intervistë me shefin e shërbimit shqip të Zërit të AmerikësArben Xhixho, zoti Moore tha se Uashingtoni e mbështet në përgjithësi procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura, por shton se Kosova nuk duhet t’i tejkalojë mundësitë e veta. Zyrtari i Lartë i Departamentit të Shtetit thotë se vendimi për ngritjen e Gjykatës së Posaçme në Kosovë ishte i vështirë por i drejtë.
VOA: Zoti Moore, në Kosovë zhvillimi kryesor këto ditë është projektligji për transformimin e Forcave të Sigurisë në Forca të Armatosura. Cili është qëndrimi i Departamentit të Shtetit në këtë drejtim?

J. MOORE: Kjo është një temë e rëndësishme. Kosova është një vend sovran dhe i pavarur dhe ka të drejtë të kujdeset për mbrojtjen e vet. Kemi zhvilluar diskutime me qeverinë e Prishtinës prej disa vitesh tashmë mbi mënyrat se si FSK-ja do të mund të transformohet në një lloj force tjetër, e aftë për të siguruar një mbrojtje të kufizuar territoriale të Kosovës. Ky ka qenë një diskutim në të cilin kryeministri Thaçi ka qenë i përfshirë, ministri Çeku ka qenë shumë aktiv natyrisht, dhe ata kanë marrë disa këshilla të mira. Kemi pasur një shkëmbim të mirë të mendimesh për këtë. Pika kyçe për ne – dhe unë shpresoj që të gjithë ta dinë këtë – është përkrahja jonë e fuqishme për Kosovën si pjesë e një Partneriteti për Paqe. Ne duam të shohim që Kosova një ditë të bëhet anëtare e NATO-s. Është një proces që do të dojë kohë. Pjesërisht, ai është një proces politik, sepse NATO duhet të ketë konsensus për këtë. Për fat të keq, katër anëtarë të NATO-s ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet sovran, e të pavarur, dhe kjo është gjithashtu pjesë e strategjisë sonë. Çështja e FSK-së është duke u diskutuar në Kuvend këtë javë. Ajo është një çështje e rëndësishme dhe ne presim me padurim të shohim se si FSK-ja do të kthehet në Forcat e Armatosura të Kosovës. Kjo çështje duhet të trajtohet në një mënyrë të kujdesshme, politikisht. Ka pikëpamje të partive të ndryshme politike, ka çështje të tjera që Kuvendi duhet të marrë në konsideratë dhe gjithashtu shohim që ekziston mundësia që Kuvendi së shpejti të mund të përfundojë punimet dhe të shkojë drejt zgjedhjeve. Pra, ne mbështesim procesin në përgjithësi. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që Kosova të mos tejkalojë mundësitë e veta. Një forcë shumë e madhe jo vetëm që do të ndërlikonte situatën politike, por ajo gjithashtu do të ishte diçka që Kosova nuk mund ta përballojë. Dhe ka shumë prioritete të qarta ekonomike dhe buxhetore të cilat duhet të shihen me kujdes.

VOA: Shtetet e Bashkuara kanë qënë të përfshira në procesin e krijimit të Gjykatës së Posaçme në Kosovë. Po në ardhmen e pritet të luajnë ndonjë rol?

J. Moore: Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u njohën para disa vitesh me akuzat shumë të rënda të ngritura nga senatori Dick Marty nga Zvicra. Ne shprehën shqetësimin tonë, që për to, natyrisht duhet të vendoset drejtësia, të hetohen këto raste dhe se nëse ka ndonjë rast që duhet të dali në gjyq, kjo duhet të ndodhë. Pra, jo vetëm që do të vendoset drejtësia, por në këtë mënyrë Kosova mund të përqëndrohet në problemet e tjera dhe të ecë përpara. Gjatë disa viteve të fundit, në këtë përpjekje është përfshirë Clint Williamson, si kryeprokuror, i cili ka qënë ambasadori ynë për çështjet e krimeve të luftës dhe një jurist e prokuror i njohur ndërkombëtar, si dhe Bashkimi Evropian. Ata kanë punuar së bashku për të mbledhur prova dhe kanë arritur në një pikë ku ata mund të përpiqen për të hapur çështje gjyqësore nëse është nevoja të hapen. Kjo nuk varet nga ne, kjo nuk është një çështje politike, por varet nga Ambasadori Williamson.
Ne po i afrohemi gjithnjë e më tepër asaj pike dhe është shumë e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës votoi me 89 vota në favor për të mbështetur shkëmbim e letrave ndërmjet Catherine Ashton dhe Presidentes Jahjaga. Kam patur nderin të bisedoj me presidenten Jahjaga kur kam qenë në Prishtinë. Ky është hapi fillestar. Pastaj në të ardhmen, do të ishte e nevojshme të bëheshin hapa të mëtejshëm që gjykata të fillojë nga funksionimi. Mbetet për t’u përcaktuar se kur do të zhvillohen zgjedhjet në Kosovë dhe kur Kuvendi i ri do të jetë në gjendje të merret me këtë çështje, por kjo është shumë e rëndësishme. Dhe për t'iu përgjigjur pyetjes tuaj themelore: po, absolutisht, Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të shohin që ky proces do të vazhdojë. Ne jemi shumë krenarë për këtë, për deputetët e Kuvendit. E dimë se ishte një vendim i vështirë, por ishte vendim i drejtë.
XS
SM
MD
LG