Lidhje

Egjip: Riorganizim i përgjithshëm nga Pres. Morsi


Mohamed Morsi ka shkarkuar nga detyra shefin e zbulimit dhe guvernatorin e Sinait Verior, në kuadër të riorganizimit, që përfshin edhe postin e komandantit të policisë ushtarake

Presidenti i Egjiptit Mohamed Morsi ka shkarkuar nga detyra shefin e zbulimit dhe guvernatorin e Sinait Verior, në kuadër të një riorganizimi të përgjithshëm që përfshin edhe postin e komandantit të policisë ushtarake.

Njoftimi për vendimin e sotëm të zotit Morsi u bë pak pas zhvillimit të një operacioni ushtarak në Gadishullin Sinai, që kishte në shenjestër ekstremistë islamistë.

Në një deklaratë të lexuar sot në televizionin shtetëror, ushtria tha se ka nisur një operacion në Sinai për të vendosur stabilitetin dhe rimarrë kontrollin në këtë zonë.

Që nga rrëzimi i ish presidentit Mobarak, pjesë të Sinait kanë përjetuar trazira dhe probleme me rendin.

Të dielën, militantët kryen një sulm të ashpër ndaj ushtrisë, duke vrarë 16 roje të kufirit, në përjekje për të kaluar në Izrael.
XS
SM
MD
LG