Lidhje

Egjipt: Reagime ndaj rrëzimit të Morsit


Ushtria e fuqishme egjiptiane ka rrëzuar nga pushteti udhëheqësin e parë civil të zgjedhur në mënyrë demokratike, Presidentin Mohamed Morsi. Mijëra protestues kundër Presidentit Morsi shpërthyen në brohoritje të hareshme sapo dëgjuan lajmin:

Qindra mijëra vetë e përshëndetën me brohoritje dhe gjëmimin e burive të makinave njoftimin e ushtrisë se Presidenti Mohamed Morsi nuk ishte më udhëheqësi i vendit.

Rrëzimi i zotit Morsi pason demonstratat që vazhduan prej disa ditësh kundër Presidentit, për të cilin protestuesit thonë se kishte humbur legjitimitetin, pasi nuk kishte arritur të bashkonte dhe udhëhiqte në mënyrë efektive vendin.

Studenti Mahmoud el Zomer tha se nuk ishte çuditur që zoti Morsi u rrëzua nga pushteti. Ai thotë se e kishte pritur këtë ditë, pasi situata në Egjipt ishte aq kaotike saqë ushtria mori kontrollin. Ai thotë se ishte një zhvillim i pritshëm dhe ai vetë ndjehet shumë i gëzuar nga ato që ndodhën.

Por jo të gjithë janë të gëzuar. Mbështetësit e zotit Morsi, kryesisht Vëllazëria Myslimane, shprehën revoltim që udhëheqësi i tyre u hoq nga pushteti. Zoti Morsi u zgjodh në qershor 2012.

Por Shefi i Ushtrisë, Gjenerali Abdel Fattah al-Sisi tha se ushtria nuk mund të rrinte më duarkryq përballë trazirave dhe protestave të dhunshme në rrugët e Egjiptit.

Në fjalimin e tij në television, zoti Sisi bëri thirrje për ripajtim kombëtar, kur deklaroi pezullimin e Kushtetutës dhe njoftoi vendimin për zgjedhje të parakohëshme.

"Bazuar në përgjegjësinë tonë kombëtare dhe historike, po bashkohemi me të gjitha figurat politike dhe kombëtare, me rininë, pa përjashtuar njeri, për të gjetur gjuhën e përbashkët për drejtimin e të ardhmes që përfshin hapa për një shoqëri egjiptiane më të fortë dhe më të bashkuar që nuk përjashton asnjë nga grupet e saj demografike, asnjë lëvizje dhe u jep fund përçarjeve dhe konfliktit”.

Kreu i Gjykatës së Lartë Adli Mansour është emëruar si kryetar shteti i përkohëshëm.

Në përpjekje për të ndalur protestat dhe dhunën që u kanë kushtuar jetën 40 vetëve gjatë javës së fundit, ushtria vendosi makina rreth demonstruesve para se të bëhej njoftimi.

Zoti Morsi erdhi në pushtet me premtimin se do të luftonte korrupsionin dhe papunësinë, do të pastronte mbeturinat që janë mbledhur në rrugët e Kairos dhe do ta bënte vendin më të sigurtë. Por ai shihet nga shumë egjiptianë si një udhëheqës autokrat dhe jo-demokratik, gjë që e bëri të papranueshëm për shumë njerëz.

Nuk është e qartë se ku ndodhet zoti Morsi, por përmes llogarisë së tij në Twitter, ai e ka cilësuar rrëzimin e tij nga pushteti si grusht-shteti, dhe u ka bërë thirrje egjiptianëve ta kundërshtojnë veprimin e ushtrisë.
XS
SM
MD
LG