Lidhje

Mosmarrëveshja mes CIA-s dhe Senatit

  • Kent Klein

Drejtori i CIA-s John Brennan mohoi që agjencia e tij të ketë ndërhyrë tek kompjuterat e ligjvënësve, siç ka akuzuar kryetarja e Komisionit të Senatit për Zbulimin. Mosmarrëveshja u bë publike të martën, por ajo ka vazhduar për vite me rradhë.

Në vitin 2002, menjëherë pasi Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin, Agjencia amerikane e Zbulimit, CIA, filloi të ndalonte dhe të merrte në pyetje të dyshuar si terroristë. Disa vite më vonë, Komisioni i Senatit për Zbulimin filloi të hetonte rreth akuzave se CIA kishte përdorur torturë gjatë atyre marrjeve në pyetje.

Në vitin 2009, CIA lejoi hetues të Kongresit të përdorin kompjuterat e saj për të shqyrtuar dokumente sekrete. Por, Kryetarja e Komisionit të Senatit për Zbulimin Dianne Feinstein tha të martën se agjencia ka monitoruar në mënyrë të paligjshme punën e atyre punonjësve dhe se në vitin 2010 u hoqi qasjen në dokumente.

"Pra, kjo ishte pikërisht ajo mënyrë ndërhyrjeje e CIA-s në hetimin tonë që ne u përpoqëm të shmangnim që në fillim."

Senatorja Feinstein ngriti shqetësime se këto veprime, që dyshohet se CIA mund të ketë kryer, vënë në rrezik pavarësinë e Senatit dhe aftësinë e tij për të mbikëqyrur agjencitë qeveritare.

"Unë kam shqetësime të thella se kërkimet e CIA-s mund të kenë shkelur ndarjen e pushteteve, parimet e mishëruara në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara."

Agjencia amerikane e Zbulimit, CIA, thotë se punonjësit e Senatit, që po hetonin programin e saj të fshehtë të marrjes në pyetje dhe të paraburgimit, morën dokumenteve sekrete në mënyrë të paligjshme.

Drejtori i CIA-s John Brennan tha se agjencia nuk po përpiqej të pengonte raportin e komisionit dhe se nuk ka bërë kërkime të paligjshme në kompjuterat e ligjvënësve.

"Sa i përket akuzave se CIA ka ndërhyrë tek kompjuterat e Senatit, ato janë krejtësisht të pavërteta. Ne nuk do ta bënim një gjë të tillë. Kjo është diçka krejtësisht e paarsyeshme, sa i përket punës sonë."

Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi Jay Carney nuk mbajti asnjë anë, duke thënë se kjo çështje është duke u shqyrtuar.

"Ju e patë drejtorin e CIA-s ndërsa tha se, nëse ka pasur ndonjë aktivitet të papërshtatshëm nga ana e CIA-s apo e stafit të saj, ai do t’i shkojë kësaj çështjeje deri në fund dhe natyrisht presidenti do ta mbështeste një qëndrim të tillë."

Raporti 6 mijë e 300 faqësh i komisionit nuk është bërë ende publik. Ligjvënësit thonë se ai përshkruan në detaje përdorimin nga ana e CIA-s të torturës së simulimit të mbytjes me ujë dhe teknikave të tjera ekstreme gjatë luftërave në Irak dhe Afganistan.

Hetimi katër-vjeçar, që ka kushtuar 40 milionë dollarë, sipas njoftimeve, arrin në përfundimin se në raportimet e saj për presidentin, Kongresin dhe publikun, CIA e ka ekzagjeruar vlerën e informacioneve të zbulimit të siguruara nga programi i saj.
XS
SM
MD
LG