Lidhje

Mosmarrëveshje mes Senatit dhe CIA-s

  • Kent Klein

Mosmarrëveshja e kohëve të fundit mes Komisionit të Zbulimit të Senatit amerikan dhe CIA-s po shkakton shqetësime në Uashington. Por ka mundësi që të mos ketë shumë ndikim në operacionet amerikane të zbulimit jashtë vendit.

“Jam shumë e shqetësuar se kërkimet e CIA-s mund të kenë shkelur parimin e ndarjes së pushtetit siç mishërohet në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.”

Kryetarja e Komisionit të Zbulimit të Senatit Dianne Feinstein bëri bujë kohët e fundit kur ajo pohoi se CIA kishte monitoruar ndihmës të komisionit të cilët po hetonin agjencinë.

Në vitin 2009, agjencia e zbulimeve lejoi ndihmësit të përdornin kompjuterat e saj për të shqyrtuar dokumente sekrete mbi marrjen në pyetje dhe arrestimin nga CIA të të dyshuarve për terrorizëm gjatë administratës së presidentit George W. Bush.
CIA tha se punonjësit kishin nxjerrë nga kmpjuteri dokumenta që nuk duhet t’i kishin marrë.

Senatorja Feinstein tha se agjencia më pas nuk lejoi qasje tek dokumentet.
Drejtori i CIA-s John Brennan mohoi se kishte ndodhur pirateri informatike.

“Mendoj se shumë njerëz të cilët pretendojnë se ka ndodhur spiunazh i shkallës së lartë, monitorim dhe pirateri informatike, do të dalin të gabuar.”

Presidenti Barack Obama ka bërë thirrje të bëhet publik raporti sekret i komisionit mbi programin e hetimit, për të cilin ligjvënësit thonë se ka detaje të përdorimit të një metode simulimi mbytjeje nga CIA dhe teknika të tjera gjatë luftrave të Irakut dhe Afganistanit.
Profesor Henry Farrell i Universitetit “George Washington” thotë se kjo mund të dëmtojë imazhin e CIA-s jashtë vendit.

“Por mendoj se të paktën ne do të jemi dëshmitarë të disa vështirësive për Shtetet e Bashkuara, kur të bëhen publike disa metoda që përdorte CIA gjatë viteve të para pas 11 shtatorit. Kjo mendoj se do të jetë mjaft e diskutueshme në vende të tjera.”

Por zoti Farrell thotë se udhëheqësit botërorë ka gjasa të mos jenë të shqetësuar në lidhje me mosmarrëveshjen mes Senatit dhe CIA-s.

“Kjo ndoshta nuk do të ketë shumë ndikim negativ, sepse njerëzit që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin janë pikërisht ata të cilët nuk do të shqetësoheshin shumë rreth kësaj.”

Zoti Mark Lowenthal pajtohet. Ai është një ish-oficer inteligjence dhe president i Akademisë të Zbulimit dhe Sigurisë.

“Të gjithë vendet me të cilët ne punojmë e dinë se ne kemi sistemin e mbikqyrjes nga Kongresi dhe se materiale të caktuara i jepen Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit sipas këtij sistemi. Pra, fakti se kjo po ndodh ka gjasa të mos jetë e papritur për asnjë dhe kështu që nuk besoj se do të ketë ndikimi në marrëdhëniet me ta.”

Zoti Lowenthal thotë se mosmarrëveshja në fakt mund të jetë reklamë e mirë për sistemin amerikan të qeverisjes.

“Kështu drejtohet një komunitet zbulimi në një demokraci, se ka rregulla, bashkëpunim dhe se komuniteti i zbulimit nuk bën sipas qejfit.”

Republikanët mund të fitojnë shumicën në Senat në zgjedhjet e nëntorit dhe me të, kryesinë e Komisionit të Inteligjencës. Ata kanë treguar shenja se dëshirojnë ta bëjnë raportin publik.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG