Lidhje

Mosmarrëveshje mes Senatit dhe CIA-s

  • Kent Klein

Pjesë të një raporti sekret, sipas të cilit CIA ka torturuar të dyshuar për terrorizëm mund të bëhen publike brenda muajit të ardhshëm. Vota e Komisionit të Senatit për Zbulimin për ta bërë publik informacionin është pjesë e një mosmarrëveshjeje në vazhdim e sipër mes komisionit dhe agjencisë së zbulimit.

Praktika e simulimit të mbytjes, siç shihet në këtë demonstrim të ushtrisë amerikane, ishte një metodë hetimi e përdorur gjatë administratës së presidentit George W. Bush, pas sulmeve terroristë të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët thanë atëherë se praktika kishte pasur rezultat në marrjen e informacionit nga të dyshuarit e terrorizmit.

Por raporti i Senatit thotë se metoda në fjalë dhe të tjera të përdorura gjatë asaj kohe ishin të pamëshirshme dhe nuk siguruan ndonjë informacion të dobishëm.
Kryetarja e komisionit Dianne Feinstein thotë se ajo shpreson se një përmbledhje prej 480 faqesh të raportit prej 6200 faqe do të bëhet publike brenda 30 ditësh.

“Raporti nxjerr në pah brutalitetin i cili bie në kundërshtim me vlerat tona si komb. Ai sjell hollësi rreth një njolle në historinë tonë e cila nuk duhet të përsëritet. Amerikanët nuk veprojnë në këtë mënyrë.”

Disa republikanë votuan me demokratët për bërjen publike të përmbajtjes.
Republikani më i lartë në panel, nënkryetari Saxby Chambliss tha se metodat ishin të efektshme dhe është koha që vendi të eci përpara.

“Unë kurrë nuk kam mbështetur hartimin e këtij raporti. Mendoj se ishte një humbje kohe. Ne kishim një raport nga Komisioni i Ushtrisë mbi këtë çështje dhe është një kapitull nga e kaluara i cili duhej të ishte mbyllur.”

Shtetet e Bashkuara zgjeruan një program arrestimi dhe marrjeje në pyetje gjatë fillimit të viteve 2000. Zonja Feinstein thotë se raporti edhe e akuzon CIA-n se ka gënjyer për efektivitetin e programit.

“Kjo është gjithashtu thellësisht shqetësuese dhe tregon pse mbikqyrja e agjencive të zbulimit në një vend demokratik është shumë e rëndësishme.”

Komisioni i Senatit për Zbulimin dhe CIA-n kanë hyrë në debat lidhur me raportin.
CIA thotë se anëtarë të personelit të Senatit morën në dorë dokumente në mënyrë të paligjshme dhe se në raport mungojnë intervista nga zyrtarë të lartë të agjencisë.
Bërja publike e përmbledhjes mund të bëjë më pak transparent komunitetin e zbulimit të Shteteve të Bashkuara, sipas profesorit për të drejtat e njeriut Jeffrey Bachman i Universitetit Amerikan në Uashington.

“Mendoj se kjo do të ngrejë pyetje rreth shkeljeve të qarta të ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe ka mundësi edhe për ligjet e luftës, dhe kështu që unë mendoj se kjo në fakt do të shkaktojë më shumë vetëpërmbajtje, jo domosdoshmërisht me praktikat por me informacionin në të ardhmen.”

Presidenti Barack Obama ka thënë se ai e mbështet bërjen publike të përmbledhjes së raportit. Zyrtarët thonë se ai do të udhëzojë komunitetin e zbulimit që të bashkëpunojnë plotësisht.
XS
SM
MD
LG