Lidhje

Mosmarrëveshjet e Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike


Mosmarrëveshjet e Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike
Mosmarrëveshjet e Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike

Ja një kronologji e zhvillimeve rreth mosmarrëveshjes së Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike lidhur me programin e tij bërthamor:

2003
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e akuzon Iranin për fshehje të aktiviteteve të tij bërthamore nga inspektorët e saj për 18 vjet. Ajo i jep Teheranit afat deri në fund të tetorit që të provojë se nuk ka një program armësh bërthamore. Në dhjetor të atij viti, Irani i thotë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike se do të pezullonte programin për pasurimin e uraniumit dhe do të lejonte inspektime më të ashpra nga OKB-ja të qendrave të tij bërthamore.

2005
Irani rifillon procesin e uraniumit në centralin bërthamor Isfahan në gusht dhe thotë se ky projekt ka qëllime paqësore. Në shtator, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike miraton një rezolutë në të cilën e akuzon Iranin për moszbatim të marrëveshjeve ndërkombëtare lidhur me armët bërthamore.

2006
Në shkurt, Irani rifillon pasurimin e uraniumit. Në prill, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike paraqet çështjen e veprimtarive të Iranit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i cili i bën thirrje Iranit të ndalë pasurimin e uraniumit deri më 31 gusht, përndryshe do të përballej me sanksione të ashpra. Irani nuk e përfill këtë afat. Në dhjetor, Këshilli i Sigurimit miraton raundin e parë të sanksioneve mbi tregtinë e Iranit në materialet sensitive bërthamore dhe raketat balistike.

2007
Irani nuk përfill afatin tjetër të Këshillit të Sigurimit për të ndalur pasurimin e uraniumit deri në shkurt. Këshilli miraton në mars një raund tjetër sanksionesh. Në maj, Drejtori i Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Mohamed Elbaradei thotë se Irani mund të prodhonte një armë bërthamore pas 3 deri 8 vjetësh.

2008
Në Mars, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miraton raundin e tretë të sanksioneve kundër Iranit. Shtetet e Bashkuara u mobilizuan për sanksione të tjera të Këshillit të Sigurimit, por Rusia bëri thirrje më shumë negociata.

2009
Në shtator, Irani e informon Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike se po ndërtonte një central bërthamor për pasurimin e uraniumit afër Komit. Agjencia e Energjisë Atomike censuron Iranin në nëntor. Kjo agjenci propozon një marrëveshje për shkëmbimin e shufrave bërthamore, në bazë të së cilës Irani do të dërgonte jashtë vendit uranium të pasuruar në nivel të ulët për t’u konvertuar në karburant për reaktorin e kërkimeve mjeksore të Teheranit.

2010
Irani i përgjigjet në shkurt ofertës së Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, duke thënë se çdo shkëmbim duhet të bëhet brënda territorit iranian. Në maj, Irani bie dakord të dërgojë uranium të nivelit të ulët në Turqi. Fuqitë perëndimore e kritikojnë marrëveshjen. Këshilli i Sigurimit miraton në qershor raundin e katërt të sanksioneve kundër Iranit. Në dhjetor, Irani zhvillon bisedime mbi programin bërthamor me 6 fuqitë botërore në Gjenevë dhe bie dakord për bisedime të tjera në Stamboll në janar.

2011
Bisedimet e janarit në Stamboll me 6 fuqitë bërthamore dështuan. Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Yukio Amano tha në qershor se Irani mund të vetë zhvilluar veprimtari bërthamore me përmasa të mundshme ushtarake. Ai e akuzon gjithashtu Iranin për mos bashkëpunim. Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad e hedh poshtë këtë akuzë. Në një raport të publikuar këtë muaj, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike thotë se ka "shqetësime serioze" rreth veprimtarive bërthamore të Iranit. Kjo agjenci thotë se kërkon të dërgojë një mision të nivelit të lartë në Iran për të bërë "disa sqarime" rreth programit bërthamor të Teheranit.

XS
SM
MD
LG