Lidhje

Mosmarrëveshjet bërthamore me Iranin hyjnë në një fazë të re

  • Al Pessin

Mosmarrëveshjet ndërkombëtare me Iranin lidhur me programin e tij bërthamor po hyjnë në një fazë të re. Tani Irani po bën thirrje për bashkëpunim nga njëra anë, por nga ana tjetër vazhdon të pengojë futjen e inspektorëve të OKB-së në një objekt të rëndësishëm. Në vazhdim, një analizë e zhvillimeve të fundit në këtë ballafaqim të ndërlikuar diplomatik:

Objektet bërthamore të Iranit janë molla e sherrit në këtë debat. Këto centrifuga të sofistikuara pasurojnë uranium dhe nëse uraniumi pasurohet në një gradë të lartë, ai mund të përdoret për armë bërthamore. Irani nuk lejoi javën e kaluar inspektorët e Agjencisë Atomike të futen për të vizituar një objekt të tillë:

“Për fat të keq nuk arritëm marrëveshje, prandaj nuk arritëm të futemi dhe të finalizonim një metodologji për veprim”.

Irani thotë se programi i tij bërthamor ka synime paqësore. Ministri i Jashtëm Ali Akbar Salehi thotë se vendet që nuk e besojnë këtë, duhet të bëjnë një zgjedhje:

“Mund të zgjedhin angazhimin, bashkëpunimin dhe shkëmbimet ose ballafaqimin dhe konfliktin. Republika Islamike e Iranit, që beson në natyrën paqësore të programit, ka këmbëngulur gjithmonë në alternativën e parë”.

Por Agjencia Atomike nuk është dakord dhe ka nxjerrë një raport ku përshkruan ndër të tjera funksionin e mundshëm ushtarak të këtij programi. Zyrtarë të lartë perëndimorë vërejnë se bisedimet e mëparshme kanë dështuar dhe thonë se Irani duhet të bëjë angazhime nëse kërkon hapjen e bisedimeve të reja:

“Çdo diskutim me Iranin duhet të fillojë me bisedime mbi programin e tij bërthamor. Ne duhet të sigurohemi se nëse vendosim të ecim përpara në këtë proces, duhet të shohim një përpjekje të vazhdueshme nga Irani për të punuar deri në arritjen e një rezultati, ku Irani të përmbushë detyrimet e tij ndërkombëtare”.

Kjo nënkupton inspektime të plota që deri tani Teherani nuk i ka lejuar. Eksperti për Iranin Mark Fitzpatrick thotë se kjo lojë e angazhimit për bashkëpunim dhe pastaj e shfaqjes së kundërshtimit pasqyron kontrollin që ushtrojnë politikanët e vijës së ashpër mbi elementët e moderuar në Teheran.

“Fakti që Agjencia Atomike nuk ka arritur gjë është sinjal i mosmarrëveshjeve në Teheran. Nga njëra anë është Ministria e Jashtme dhe nga ana tjetër janë politikanët konservatorë. Vija e ashpër ka fituar përsëri duke mos lejuar bashkëpunim me Agjencinë Atomike”.

Por ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit Dennis Ross i tha Shërbimit Persisht të Zërit të Amerikës se sanksionet ndërkombëtare mund të fillojnë të ndryshojnë edhe qëndrimin e elementëve të vijës së ashpër:

“Ky kontekst kërkon ushtrimin e trysnisë, por kërkon gjithashtu që udhëheqjes iraniane t’i lejohet një rrugëdalje. Nëse duan të gjejnë një mënyrë për të ulur tensionin, duhet t’u jepet mundësia”.

Pikërisht këtë po përgatiten të bëjnë zyrtarët perëndimorë, por deri tani ata nuk janë bindur se zyrtarët iranianë janë vërtetë të gatshëm për ndryshimin e politikave të tyre.

XS
SM
MD
LG