Lidhje

Mosmarrëveshjet në Kongres për fondet kërcënojnë pezullimin e pjesshëm të punës së qeverisë


Mosmarrëveshjet në Kongres për fondet kërcënojnë pezullimin e pjesshëm të punës së qeverisë
Mosmarrëveshjet në Kongres për fondet kërcënojnë pezullimin e pjesshëm të punës së qeverisë

Për të tretën herë brenda këtij viti, ligjvënësit republikanë dhe demokratë janë kyçur në një betejë të rendësishme të asaj që zakonisht ka qënë një votim rutinor për autorizimin e fondeve për qeverinë federale apo që të shtojë tavanin e borxhit kombëtar.

Senati i kontrolluar nga demokratët do të votojë masën e vet afatshkurtër të shpenzimeve, ose vazhdimin e zgjidhjes, pasi Senati hodhi poshtë javën e kaluar masën e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët. Demokratëve në Senat ju nevojiten 60 vota për të miratuar propozimin e tyre.

Masa e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve kishte parashikuar fonde për qeverinë federale deri me 18 nentor dhe përfshinte 3,65 miliard dollarë për reagimet e brendshme në raste fatkeqësie për Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, FEMA.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Xhon Bejnër i bëri thirrje Senatit që të miratonte propozimin e Dhomës së Përfaqësuesve.

“Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një masë kuptimplotë që do të mbante qeverinë të hapur dhe ofronte ndihmë të menjëhershme për fatjkeqësitë për të plotësuar kështu fondet e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave. Ndërkohë që ne miratuam një masë të përgjegjshme, është koha që Senati të bëjë të njëjtën gjë me propozimin në fjalë.”

Por demokratët në Senat thonë se Dhoma e Përfaqësuesve nuk kishte ofruar fonde të mjaftueshme për ndihmat në raste fatkeqësish. Ata po ashtu kritikuan një dispozitë që do të kishte shkurtuar 1,5 miliard dollarë nga programet qeveritare për energji të pastër, duke thënë se reduktimet do të mbyllin vende pune në një kohë me papunësi të lartë.

Ndërkohë, propozimi i demokratëve në Senat nuk bën fjalë për shkurtim shpenzimesh, për të cilin thonë se do të shkaktonte një precedent negativ për rastet e fatkeqësive në të ardhmen.

Xhesika Bradi me gazetën “Roll Call” thotë se grindjet partiake mbi buxhetin e qeverisë nuk janë gjë e mirë për vendin.

“Asnjëherë nuk është mirë pezullimi i përkohëshëm i funksionimit të qeverisë; dhe padyshim nuk është mirë që FEMA të mos ketë para kur ka kaq shumë viktima nga fatkeqësitë natyrore.”

Për të tretën herë këtë vit, një pezullim i pjesëshëm i punës së qeverisë është i mundëshëm, nëse Kongresi nuk bie dakord mbi një masë buxhetore para të premtes me 30 shtator, kur përfundon viti fiskal për qeverinë amerikane.

Dhoma e Përfaqësuesve është pushim këtë javë dhe udhëheqësit republikan thonë se nuk kanë në plan që të thërrasin ligjëvënësit që të vijnë në Uashington nga disktriktet ku ata jetojnë.

Është e paqartë se si Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati mund të zgjidhin këtë ngërç. Por analistët thonë se konflikti nuk ka gjasa që të përmirësojë vlerësimin e punës së Kongresit nga publiku amerikan, për të cilën anketat tregojnë vlerësimin më të ulët ndonjëherë me 12 përqind mbështetje.

XS
SM
MD
LG