Lidhje

Mosmarrëveshjet politike mjegullojnë propozimet e presidentit Obama për punësimin


Mosmarrëveshjet politike mjegullojnë propozimet e presidentit Obama për punësimin
Mosmarrëveshjet politike mjegullojnë propozimet e presidentit Obama për punësimin

Fjalimi i Presidentit Barak Obama mbi ekonominë amerikane është propozimi më i fundit i një sërë propozimesh qeveritare për të stimuluar ekonominë dhe për të krijuar vende të reja pune. Por ndërsa zhvillimi ekonomik ka qënë shumë më i ngadaltë nga parashikimi dhe klima politike është e përqëndruar në shkurtimin e shpenzimeve, disa analistë vënë në dyshim mundësitë e qeverisë për të përmirësuar gjendjen ekonomike të vendit.

Tani që gati 14 milion amerikanë janë të papunë, disa njerëz vënë në pikpyetje nëse propozimet e presidentit Obama për vendet e punës mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në procesin e punësimit.

Presidenti tha në fillim të këtij muaji në Detroit se rezultati varet nga Kongresi.

"Kemi punë për të bërë dhe punëtorët janë gati ta bëjnë atë. Sindikatat punëtore janë me mua, bizneset janë me mua. Ne kemi nevojë për mbështetjen e Kongresit. Le ta kthejmë Amerikën përsëri në punë".

Por udhëheqësit republikanë shprehën kundërshim edhe para fjalimit të presidentit, mes tyre edhe udhëheqësi republikan në Senat, Mitch McConnell.

"Ekziston një arsye shumë më e thjeshtë për të kundërshtuar politikat ekonomike të presidentit, që nuk ka të bëjë fare me mosmarrëveshjet politike: Ato nuk funksionojnë".

Disa analistë, mes tyre ekonomisti Vincent Reinhart pranë Institutit amerikan Enterprise, thonë se mosmarrëveshjet politike përbëjnë problem.

"Është pikërisht sistemi politik që na ka sjellë në këtë gjendje kaq jo efikase; votuesit nuk e kanë të qartë se ç’duhet të presin nga qeveria për vete dhe për të tjerët. Dhe deri sa të arrihet në një pikë përcaktuese në këtë aspekt, ne nuk do të kemi një zhvillim të lartë ekonomik".

Disa të tjerë thonë se obsesioni i vendit për të ulur deficitin e përkeqëson situatën. Ekonomisti Gary Burtless thotë se zhvillimi i ekonomisë do të kërkojë më shumë, e jo më pak, shpenzime qeveritare.

"Mendoj se deficiti dhe borxhi në rritje i Shteteve të Bashkuara përbëjnë një problem afat-gjatë dhe zgjidhjet që janë miratuar nga politikanët do ta përkeqësojnë këtë problem, sepse pa një zhvillim të vrullshëm ekonomik, problemi i borxhit nuk do të menaxhohet siç duhet".

Shumë analistë thonë se ka të ngjarë që gjatë muajve të ardhshëm ulja e borxhit do të ketë më shumë përparësi se sa krijimi i vendeve të punës. Një komision dypartiak po shqyrton mënyrat për uljen e deficitit federal me më shumë se 1 trilion dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshëm dhe këtë duhet ta bëjë deri në nëntor. Dhe me afrimin e shpejtë të afatit, analisti Douglas Holtz-Eakin në Forumin Amerikan për Veprim, thotë se rezultati i punës së këtij komisioni do të vërë në provë vullnetin politik të Amerikës.

"Presioni që do të ketë ky komision nuk ka të bëjë me esencën e problemit, por do të jetë politik për të provuar nëse Uashingtoni ende ruan vlerat e këtij vendi dhe procesi legjislativ ende funksionon deri diku. Dhe pikërisht kjo e bën të vështirë".

Edhe nëse presidenti siguron në çdo pikë mbështetjen e Kongresit, disa llogaritje tregojnë se papunësia do të mbetet mbi 8 për qind deri pas vitit 2014. Ekonomisti Gary Burtless thotë se papunësia mund të jetë më e lartë vitin e ardhshëm.

"Do të doja të isha gabim, por ka më shumë mundësi që papunësia të jetë më e lartë pas një viti dhe jo më e ulët".

Analistët thonë gjithashtu se shkalla e lartë e papunësisë mund të dëmtojë shanacet e presidentit Obama për t’u rizgjedhur në vitin 2012.

XS
SM
MD
LG