Lidhje

Rikrijohen disa artifakte të Mosulit


Militantët e Shtetit Islamik kanë marrë kontrollin e disa pjesëve të qytetit të lashtë të Palmirës në Sirinë qendrore. Nuk është e qartë se çfarë ndikimi do të kenë luftimet në Qendrën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, e famshme për kolonadat e saj madhështore 2 mijë vjeçare. Disa muaj më parë, militantët e ISIS-it publikuan një video, e cila i paraqiste ata duke shkatërruar artifaktet e Muzeut të Mosulit në Irak. Tani disa studjues po përdorin pamjet e marra nga grupe njerëzish për të rindërtuar në mënyrë dixhitale reliket që mendohet se janë shkatërruar, apo vjedhur nga ekstremistët.

Kjo video tronditi botën. Në shkurt, grupi Shteti Islamik i publikoi qëllimisht këto pamje, që i paraqisnin militantët duke shkatërruar artifakte të lashta në qytetin verior të Irakut, Mosul.

Në video shihet një grup burrash në një muze, që përdorin sëpata dhe trapano për të shkatërruar disa statuja të mëdha, mes tyre një që paraqet një dem asirian me brirë, personifikim i një perëndie mbrojtëse që e ka origjinën mijëra vjet më parë.

Ky nuk është rasti i vetëm që grupi vë në shënjestër trashëgiminë kombëtare të Irakut.

Në muajin prill, një video e miltantëve paraqiste qëllimisht ekstremistët duke shkatërruar qendrën arkeologjike në qytetin e lashtë të Hatrës.

Ata goditën me sëpata muret e qytetit dhe qëlluan me kallashnikovë statujat me vlera të pallogaritshme.

Arkeologët, mes tyre edhe drejtoresha e UNESCO-s, Irina Bokova - të befasuar nga këto veprime, reaguan me forcë, duke i dënuar ato.

Tani, një grup profesionistësh të programeve kompjuterike, kanë vendosur të bëjnë diçka për restaurimin e tyre.

Expertë të Rrjetit “Intel Training” për Trashëgiminë Kulturore Dixhitale, një projekt i financuar nga grupi Marie Curie Actions, po punojnë për një projekt, duke përdorur pamje të marra nga një grup njerëzish për rindërtimin dixhital të trashëgimisë kulturore, që mendohet se është vjedhur, ose shkatërruar. Ai quhet “Projekti Mosul”.

"Ideja është se jemi duke i rikrijuar objektet kulturore, me foto dhe video të marra nga njerëz të ndryshëm: ne u kërkuam atyre të ngarkojnë në sistem imazhe të disa qendrave të trashëgimisë kulturore, të cilat ata mund t’i kenë vizituar si turistë, ose si profesionistë”, - thotë studjuesi Matthew Vincent, doktor shkencash. "Pasi sigurojmë këto pamje, - thotë ai, - ne u kërkojmë njerëzve që të ndihmojnë në përzgjedhjen e këtyre pamjeve që lidhen me kategori të caktuara të objekteve që do të rindërtohen dhe pastaj ata mund të ngarkojnë imazhe dhe t’i përpunojmë ato, duke përdorur programe të fotometrisë.”

Pasi panë videon e publikuar nga Shteti Islamik në muajin shkurt, Vincent dhe kolegët e tij, vendosën të mos bëheshin spektatorë pasivë të shkatërrimeve.

"Kur sheh qendrat të cilat kisha shpresuar t’i vizitoja një ditë dhe të cilat tani janë shkatërruar të vjen shumë keq, thua me vete, nuk kam për ta parë dot më këtë qendër…”

Projekti i Mosulit përdor teknologjinë më të fundit të fotometrisë, përmes imazheve të marra nga njerëzit, për të rikrijuar artifaktet në formën e objekteve dixhitale tre dimensionale.

Programi i Fotometrisë vepron në të njëjtën mënyrë sikuse edhe sytë e njerëzve, duke i marrë dy imazhe të ndryshme dhe duke gjetur pika të përbashkëta në mes tyre, për të krijuar një imazh kompleks.

Pamjet tredimensionale paraqiten në një muze në internet, ku të dhënat mund të shihen me lehtësi nga publiku.

Rikrijimi i “Luanit të Mosulit” u realizua duke përdorur 16 imazhe të veçanta, të marra nga tre pjesëtarë të personelit ushtarak amerikan, të cilët vizituan Irakun për të vlerësuar qendrat e trashëgimisë kulturore.

Në mars, diplomatë të huaj portestuan kundër shkatërrimit të artifakteve dhe gërmadhave në Mosul, duke vizituar Muzeun Kombëtar të Irakut, në Bagdad.

''Ka shumë rëndësi, që komuniteti ndërkombëtar të bashkohet, nën patronazhin e UNESCO-s dhe të bëjë ç’është e mundur për të mos lejuar shkatërrimet e mëtejshme të trashëgimisë kulturore të Irakut,” - thotë zëvendësi i përfaqësuesit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Irakun, Gyorgy Busztin.

Plani i “Projektit të Mosulit” tani po zgjerohet edhe në qendra të tjera kulturore. Ai po përdoret edhe në Nepal, ku një tërmet i fuqishëm në prill shkaktoi rreth 8 mijë të vrarë dhe shkatërroi qytete të tëra, duke përfshirë qendra të rëndësishme kulturore të vendit në Luginën Katmandu. Rikrijimet tridimensionale, ashtu sikurse po ndihmojnë në rastin e objekteve të vjedhura, apo të shkatërruar nga ISIS, tani po ndihmojnë në rindërtimin e objekteve të shkatërruara nga fatkeqësitë natyrore.

Ne shpresojmë të krijojmë muzeume virtuale,"- thotë eksperti Vincent. "Duke bërë të mundur të lejojmë dikë të ecë nëpër dhomat virtuale, duke parë artifaktet përmes mjeteve dixhitale."

Faqja e internetit “Projekti i Mosulit” filloi më 8 mars. Deri tani janë rikrijuar 9 artifakte të ndryshme të Muzeut të Mosulit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG