Lidhje

Beteja për marrjen e Mosulit dhe pasojat e saj për banorët


Rreth 10 kilometra nga vija e frontit të betejës për rimarrjen e Mosulit, ushtarët kurdë Peshmerga patrullojnë një zonë të cilën ata e rimorën kohët e fundit nga duart e militantëve islamikë. Ata thonë se kanë mësuar shumë për mënyrën se si funksionon grupi militant nga analizimi i rrënojave të ndërtesave në fshatrat ku vepronin ekstremistët e Shtetit Islamik.

Një fabrikë bombash ishte instaluar në një dyqan dhe ekstremistët dogjën sasi nafte për të fshehur fshatin nga forcat e koalicionit, thonë ushtarët Peshmerga.

Forcat irakiane dhe ato kurde janë duke kontrolluar fshatrat e rimarrë për të mësuar se si Shteti Islamik i pushtoi dhe i mbajti nën kontroll këto fshatra për më shumë se dy vjet.

"Ne nuk e dimë saktësisht se sa anëtarë të ISIS-it ishin këtu", thotë Tahir Aziz, një komandant i forcave Peshmerga. "Por pasi trupat e të vrarëve kanë mbetur këtu, ne e dimë se sa prej tyre janë vrarë. Nuk e dimë se sa prej tyre kanë ikur," thotë ai.

Në njërin skaj të fshatit, thasët e mbushur me rërë janë vendosur brenda xhamisë, një përpjekje e militantëve për të fshehur pozicionet e tyre nga avionët e koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara. Ushtarët kurdë inspektuan tunelet nëntokësore të fshatit për të parë rrugët që militantët kanë përdorur për të ikur nga fshati.

Ndërsa këto fakte janë të vlefshme, ushtarët kurdë thonë se lufta kundër militantëve të Shtetit Islamik është tepër e komplikuar.

"Sfidat që mbeten janë sulmet me makina bombë dhe sulmet vetëvrasëse", thotë nënkoloneli kurd Osman Ali. "Gjithashtu, ne kemi armë, por nuk jemi të pajisur mirë si ushtria irakiane. Ne kemi nevojë për më shumë armë dhe të cilësisë së mirë," thotë ai.

Ndërsa dalin në anën tjetër të tunelit, luftëtarët kurdë thonë se ata do ta vazhdojë luftën deri në shkatërrimin e grupit militant.

Ushtarët Peshmerga, ushtria irakiane dhe luftëtarët shiitë po luftojnë së bashku kundër Shtetit Islamik, por tensionet mes tyre vazhdojnë të jenë të pranishme.

Edhe pse këto forca vazhdojnë të spastrojnë shumë zona nga militantët islamikë, shumë njerëz janë të pakënaqur sepse ata ende nuk mund të shkojnë në shtëpitë e tyre për shkak të rrënojave, trupave të viktimave dhe bombave të pashpërthyera. Ata duhet të presin derisa ushtria t’i sigurojë këto fshatra.

"Ne nuk duam të jetojmë jashtë shtëpive tona", tha 35 vjeçari Raad Ibrahim, baba i një fëmije, ndërkohë që ai të shtunën priste jashtë një pike kontrolli, në përpjekje për të marrë leje për të vizituar shtëpinë e tij. "Unë nuk di asgjë në lidhje me gjendjen atje. Por jam i sigurt se shtëpia është e shkatërruar," thotë ai.

XS
SM
MD
LG