Lidhje

Volesky: Beteja për Mosulin kërkon hapa të matur


Gjenerali amerikan që po udhëheq fushatën tokësore të koalicionit në Irak u ka bërë thirrje forcave irakiane që luftojnë për të rimarrë Mosulin të mos avancojnë “tepër shpejt, pasi mund t’i krijojnë hapësirë veprimi armikut”.

"Nuk po u them irakianëve to mos shpejtojnë për të rimarrë Mosulin. Por po u them se për momentin ata e kanë situatën nën kontroll dhe duhet ta ruajnë këtë epërsi në betejë, të vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj armikut dhe kjo do të sjellë thyerjen e armikut,” tha dje Gjeneral Majori Gary Volesky në një tele-konferencë për shtyp nga Bagdati.

Gjenerali shtoi se parashikon që luftëtarët e Shtetit Islamik të hidhen në një betejë të gjerë për mbrojtjen deri në fund të Mosulit. Pas rimarrjes së Mosulit nga forcat irakiane, luftëtarët e ISIS do të kthehen në një forcë kryengritëse që përdor metoda jokonvencionale duke goditur vazhdimisht forcat irakiane dhe civilët, tha gjenerali.

“I kemi dërguar ISIS mesazhin se udhëheqësit e tyre po i braktisin. Po vërejmë një largim të udhëheqjes nga Mosuli,” tha Gjenerali Volesky.

Shtetet e Bashkuara po e mbështesin operacionin me informata zbulimi, logjistikë, goditje artilerie dhe nga ajri, si dhe me helikopterë Apache. Megjithatë, luftimet për Mosulin nuk janë e vetma betejë për gjeneralin Volesky. Ai tha se qëllimisht disa forca amerikane janë përqëndruar në pjesë të tjera të Irakut për të mos lejuar që ISIS ta zhvendosë betejën në jug të vendit.

“Kemi ekipe konsulence dhe ndihme pranë këtyre njësive që ndodhen në Luginën e Eufratit dhe në zona të tjera ku ka baza ISIS, në mënyrë që armiku të mos rishfaqet dhe të krijojë një zonë konflikti që nuk i lejon forcat irakiane të përqëndrohen tek Mosuli,” tha ai.

Kryeministri irakian Haider al-Abadi ritheksoi të njëjtin mendim. Sot ai tha se forcat irakiane po avancojnë më shpejt se pritej në betejën për rimarrjen e Mosulit.


Kriza e Refugjatëve

Ndërkaq, organizata bamirëse Save the Children thotë se mijëra vetë janë larguar nga zona e Mosulit për t’u shpëtuar luftimeve.

Organizata thotë se rreth 5000 vetë kanë mbërritur gjatë ditëve të fundit në një kamp refugjatësh në zonën kufitare të Sirisë. Ka rrezik që situata në kamp të bëhet e papërballueshme me dyndjen e refugjatëve të rinj.

“Familjet që mbërrijnë nuk kanë asgjë me vete, përveç rrobave të trupit dhe nuk gjejnë asgjë për t’i ndihmuar,” tha Tarik Kadir, i cili kryeson operacionet e organizatës në përgjigje të krizës në Mosul. Po shtohen shqetësimet për fatin e civilëve të bllokuar në zonën e konfliktit, që pritet të zgjasë për javë, në mos muaj me radhë.

XS
SM
MD
LG