Lidhje

Pamje rrëqethëse në Mosul


Ushtria irakiane thotë se ndodhet më pak se një kilometër nga Mosuli, në luftë me militatët e të vetëquajturit Shtet Islamik. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës, Heather Murdock, nga Bartella e Irakut, në zonat përqark vijave të frontit, disa banorë thonë se për sa kohë që militantët ende kontrollojnë kryqendrën e provincës, mund të mos ketë siguri.

Ushtarët thonë se popullsia civile është bllokuar në zonat e luftimeve, ndërsa ata luftojnë rrugë më rrugë me militantët islamikë. Faza e re e betejës për Mosulin po afron dhe ushtarët thonë se ajo do të jetë e gjatë dhe e rrezikshme për të gjithë. Nënkoloneli i ushtrisë irakiane Atheer Jasim:

“Teknikat e Shtetit Islamik janë bombat vetëvrasëse dhe makinat bombë që rrezikojnë të gjithë. Ne duam të çlirojmë Mosulin dhe ushtarët tanë janë të stërvitur mirë.”

Ndërsa qytetet dhe fshatrat përreth Mosulit çlirohen, para syve të shfaqet një botë e shkatërruar. Kamerat e Zërit të amerikës tregojnë dyqane dhe shtëpi të rrënuara dhe rrugë të mbushura me gëzhoja.

Nuk ka ujë të rrjedhëshëm apo elektricitet, ndërsa banorët, si Hasina Slyo Pitros, shkojnë të shohin se çfarë ka ngelur nga shtëpitë e tyre.

“Kanë kaluar dy vjet qëkur kemi lënë shtëpinë dhe qytetin tonë. Jemi lodhur si refugjatë. Nuk është shkatërruar vetëm shtëpia jonë por i gjithë qyteti.”

Makina me flamuj të bardhë po shfaqen nëpër kampet e refugjatëve të mbushura me familje që largohen nga fushat e betejës. Organizata Ndërkombëtare për Migrim thotë se më shumë se 20 mijë njerëz janë zhvendosur që nga fillimi i mësymjes dhjetëra ditë më parë, ndërsa pritet që numri të shkojë deri në një milion.

Shumë familje të zhvendosura thonë se, në qoftë se vuajtjet e tyre janë të nevojshme për të shkatërruar Shtetin Islamik, ata nuk kanë zgjedhje tjetër përveçse të durojnë.

XS
SM
MD
LG