Lidhje

Shkatërrimi i Muzeut të Mosulit

  • Kane Farabaugh

Mosuli ishte dikur një nga qytetet më të pasura kulturore dhe me diversitet fetar në Irak. Kjo traditë është vënë në shënjestër nga anëtarët e Shtetit Islamik që e kanë bërë Mosulin kryeqytetin e tyre. Muzeu i Mosulit është objektivi më i fundit i një fushate terrori dhe shkatërrimesh të grupit që ka shkaktuar shqetësim të madh tek arkeologët në mbarë botën.

U deshën vetëm pak minuta për anëtarët e Shtetit Islamik që të dëmtonin përgjithmonë thesarin e çmuar të Irakut që u kishte mbijetuar mijëra viteve të trazuara.

Imazhet e publikuara në shkurt tregojnë militantët që shpojnë dhe godasin artifaktet në muzeun e Mosulit, duke tronditur njerëzit në mbarë botën, përfshi ata në Institutin Oriental në Universitetin e Çikagos.

"Është shumë e vështirë të mos kalosh në depresion nga ky fakt. Kjo është një humbje jashtëzakonisht e madhe për punën tonë.”

McGuire Gibson është profesor i Arkeologjisë Mesopotame në Universitetin e Çikagos. Ai ka vizituar Mosulin dhe ka studiuar disa nga pjesët e shkatërruara në video.

Disa artifakte janë kopje, por Gibson beson se videoja tregon se ISIS po shkatërron relikat origjinale. Një prej tyre është një statujë e një demi me krahë dhe me kokë njeriu mbi 2500 vjeçare.

“Ata aktualisht i hoqën kokën njërës prej tyre që ishte në një gjendje shumë shumë të mirë.”

Demi me krahë u zbulua në Irak në vitet 1920 dhe 1930 nga arkeologë të Institutit Oriental.

Një statujë e ngjashme e madhe që u zbulua gjatë asaj kohe është një nga pjesët më të mëdha që shfaqet në muzeun e Insitutit.

Laura Tedesco, menaxhere e programit të pasurisë kulturore në Departamentin amerikan të Shtetit e sheh shkatërrimin e Mosulit si një provokim nga Shteti Islamik që njihet gjithashtu si Daesh.

"Mendoj se motivi i shkatërrimeve është i shumëfishtë dhe ka të bëjë me shkatërrimin e figurave që perceptohen si idhuj. Mendoj se motivi është gjithashtu për të dërguar një mesazh tek popullsia në Irak dhe Siri dhe në mbarë botën për forcën që Daesh ka si dhe për të krijuar zemërim.”

Puna e zojnës Tedesco fokusohet pjesërisht në Afganistan, strehë dikur e statujave të famshme budiste në Bamijan. Skulpturat e gdhendura në anën e një mali në shekullin e 6-të u shkatërruan nga talebanët në vitin 2001.

“Është formë e një gjenocidi kulturor duke ndarë civilizimin nga trashëgimia, nga e kaluara kulturore. Është një mënyrë për të zhdukur ndjenjën e identitetit.”

Profesor Gibson i pa statujat gjatë një udhëtimi në Afganistan në vitin 1969. Ato ekzistojnë tani vetëm në fotografi dhe në kujtesën e tij.

“Kultura nuk mund të rinovojë vetveten pasi shkatërrohet dhe zhduket. Këto objekte që po shkatërrohen, kanë mbaruar së ekzistuari”.

Kjo është arsyeja përse Gibson thotë se zhvillimet në Irak – në qendrën antike të Mesopotamisë – djepi i civilizimit – janë veçanërisht shqetësuese.

“Aty është fillimi i civilizimit, fillimi i qyteteve, fillimi i të shkruarit, fillimi i çdo gjëje që vlerësojmë në vet civilizimin tone.”

Ajo që e shqetëson zotin Gibson më shumë është se videoja e shkatërrimit të Mosulit nuk tregon ato artifakte të vjedhura dhe të shitura në tregun e zi për koleksionistë që janë gati të paguajnë shuma të mëdha për artikuj që shumica e arkeologëve i konsiderojnë si të paçmueshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG