Lidhje

Ofensivë e re ushtarake e forcave irakiane në Mosulin perëndimor


Forcat irakiane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara kanë filluar një ofensivë ushtarake me synimin për të marrë pjesën perëndimore të Mosulit nga kontrolli i militantëve të grupit Shteti Islamik.

“Forcat tona po fillojnë me çlirimin e qytetarëve nga terrori i Daeshit”, tha kryeministri irakian Haider al-Abadi të dielën. Ai i bëri thirrje forcave të sigurisë që të respektojnë të drejtat e njeriut gjatë operacionit ushtarak.

Forcat irakiane rimorrën nën kontroll disa fshatra, si pjesë e një ofensive të re dhe tani synojnë të rimarrin aeroportin e Mosulit.

Sektretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis, duke folur në Abu Dhabi të dielën, tha se roli i Shteteve të Bashkuara në këtë betejë do të mbetet i njëjtë.

Forcat irakiane të sigurisë morën kontrollin e pjesës lindore të Mosulit nga ISIS-i muajin e kaluar, më shumë se 100 ditë pasi filloi ofensiva për të rimarrë kontrollin e qytetit.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë paralajmëruar se beteja për pjesën perëndimore të qytetit ka të ngjarë të jetë shumë më e vështirë.

XS
SM
MD
LG