Lidhje

Klivlend: Shqiptarët përurojnë shtatoren e Nënë Terezës


Shtatorja u vendos në kopshtin kulturor shqiptar, pjesë e një kompleksi në natyrë që përfaqëson grupe të ndryshme imigrantësh në shtetin Ohio

Komuniteti shqiptar i Klivlendit në shtetin Ohajo përuroi dje pasdite një shtatore të madhe të Nënë Terezës, të vendosur në kopshtin kulturor shqiptar, pjesë e një kompleksi në natyrë që përfaqëson grupe të ndryshme imigrantësh në këtë shtet. Në ceremoni ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Shiu i madh nuk i ndryshoi planet e shqiptarëve të Ohajos për t’u mbledhur në rrethinat e qytetit Klivlend, me rastin e përurimit të shtatores së madhe prej bronxi të Nënë Terezës. Kjo shënoi edhe përurimin e kopshtit kulturor shqiptar, si pjesë e një kompleksi të madh në natyrë që përfaqëson 29 komunitete immigrantësh.

Dona Brady, me origjinë arbëreshe, është anëtare e Këshillit të qytetit Klivlend. Bashkë me përfaqësuesit e komunitetit shqiptar ajo luajti rolin kryesor në suksesin e kësaj nisme.

“Ne zgjodhëm Nënë Terezën si pikën qëndrore të këtij kopshti, sepse ajo përfaqëson Shqipërinë dhe botën. Ajo është një humanitare e shkëlqyer dhe simbolizon të gjitha cilësitë e mrekullueshme të shqiptarëve. Jemi shumë krenarë që ndodhemi këtu. Shpresojmë që ata ta gëzojnë këtë ditë po aq sa të gjithë të tjerët” - tha ajo.

Në ceremoni erdhi edhe presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe për takime me komunitetin shqiptar të Amerikës.

“Nëse mendojmë gjithmonë se u kemi borxh njerëz një ide, një projekt, një mirësi, shoqata juaj po e kryen atë më së miri. Tani kemi një synim të madh: dashurinë dhe besimin në Zot, që e fshihnim dikur, ta demonstrojmë edhe në këtë vend të bukur e të nderuar, ku shtatorja e Nënë Terezës shpresoj të shndërrohet në një vend pelegrinazhi, këtu në Klivlend, buzë liqenit”, - tha presidenti Nishani.

Shtatorja e Nënë Terezës u zbulua nga Presidenti Nishani në mes të shiut që nuk pushonte.

Shtatorja është vendosur në hyrje të kompleksit, krahas skulpturave të Shekspirit, Dantes, Gandit dhe figurave të tjera të shquara botërore. Ajo është vepër e skulptorit Kreshnik Xhiku, i cili aktualisht ndodhet në Tiranë sepse po punon për një projekt tjetër. Nga Tirana ai bëri këto komente për Zërin e Amerikës:

“Unë e kam bërë Nënë Terezën jo shumë të vjetër në moshë. Ky është ndryshimi i statujës që kam bërë unë me disa statuja të tjera të saj. Më pëlqente ta bëja pak më të bukur, jo aq të përkulur, sepse në vitet e fundit, me kalimin e moshës ajo u kërrus pak. Dua të falenderoj të gjithë komunitetin shqiptar të Klivlendit për punën e shkëlqyer që bën. Ndihem vërtet i lumtur që më dhanë mundësinë të bëja statujën e Nënë Terezës, për të cilën ne të gjithë jemi krenarë që e kemi me origjinë shqiptare”.

Frank Jackson kryetar bashkie i Klivlendit, e quajti ceremoninë madhështore:

“Ne lejojmë çdo komunitet të organizojë aktivitetet e veta dhe u sigurojmë mbështetjen tonë logjistike që ato të kenë sukses. Aktiviteti i sotëm është një ngjarje madhështore, sepse këtu kemi Presidentin e Shqipërisë që ka ardhur për të përuruar kopshtin kulturor shqiptar”.

Kjo pasdite e gëzueshme do të mbetet e paharruar në kujtesën e komunitetit shqiptar të Ohajos, i cili tani ka simbolin e vet në kopshtet kulturore të Klivlendit - një simbol që njihet dhe respektohet në të gjithë botën, Nënë Terezën.
XS
SM
MD
LG