Lidhje

Nënë Tereza pritet të shenjtërohet në shtator


Humanistja shqiptare Nënë Tereza, fituese e çmimit Nobel, pritet të shpallet e shenjtë në shtator të vitit 2016.

Gazeta zyrtare e konferencës së peshkopëve italian, Avvenire, shkruan se Papa Francesku miratoi të enjten një dekret për njohjen e një mrekullie që i atribuohet ndërmjetësimit të saj me Perëndinë.

Nënë Tereza e cila vdiq në shtator të vitit 1997, u shpall e lume në vitin 2003 nga Papa Gjon Pali i Dytë. Lumnimi është hapi i fundit para shenjtërimit.

Zyrtarët e Vatikanit nuk kanë komentuar njoftimet e gazetës e cila tha se papa mund të organizojë ceremoninë e shenjtërimit në shtator të vitit 2016.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që u bë më pastaj në gjithë botën e njohur si Nënë Tereza, u lind në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 në një familje me prejardhje nga Prizreni.

Më 1979 ajo mori çmimin Nobël për Paqe. Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë, ku kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës duke ndihmuar të varfrit.

Reagon Kisha Katolike Shqiptare

Kisha katolike në Shqipëri përshëndeti sot aprovimin e Papa Françeskut që i hapë rrugë shënjtërimit të bamirëses shqiptare, Nënë Terezëz. Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Arqipershkvi i Shkodër-Pultit, imzot Engjëll Masafra, i cili njoftoi lajmin gjatë meshës së mëngjesit, u shpreh se kjo është një ngjarje e rëndësishme dhe e mirëpritur për mbarë popullin shqiptar, pa dallim besimi.

Është një nder për ne shqiptarët, një nder se një shqiptare, e vogël si trup, por edhe e madhe siç quhet Nëna e Njerëzimit, Nëna e Botës dhe që shpallet shenjtëreshë. Është një gjë e madhe se dalim përsëri në pah para botës, si komb dhe si shqiptarë. Është një gjë që na nderon dhe, nga ana tjetër, na detyron që ta njohim më shumë dhe, pavarësisht nga feja që shqiptari mund të ketë, të jetë si model për të imituar dashurinë ndaj Hyut, ndaj Zotit, secili sipas fesë që mund të ketë dhe, më tepër, për të dashur dhe ndihmuar të tjerët.

Imzot Masafra apeloj që të ndiqet shëmbulli i Nënë Terezës, sepse në këtë mënyrë, u shpreh ai, shqiptarët do të jenë dyfish më të lumtur pasi një shqiptare shpallet shënjtëreshë dhe se, prej së largu, mund të imitojnë disa vlera që ajo ka jetuar.

XS
SM
MD
LG