Lidhje

SHBA: 13 të vdekur nga dëbora


Në Shtetet e Bashkuara, banorët e pjesës verilindore po pastrojnë shtëpitë dhe makinat nga bora e shkaktuar nga një stuhi e fuqishme, e para stuhi e madhe për vitin 2014. Stuhia krijoi vështirësi të shumta në mbarë rajonin dhe zyrtarët thonë se të paktën 13 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e saj.

Një pjesë e banorëve që ngecën në borë për shkak të stuhisë, u detyruan t'i lënë makinat në rrugë. Sipas kryebashkiakut të i ri të Nju Jorkut, të dilje me makinë në një mot të tillë nuk ishte aspak ide e mirë.

"Nëse nuk keni nevojë të udhëtoni, ju lutem qëndroni në shtëpi. Nëse duhet patjetër të udhëtoni atëherë përdorni transportin publik. Do të ketë vonesa, por do të jeni të sigurt, dhe kjo do të na ndihmojë të kthejmë plotësisht normalitetin."

Stuhia shkaktoi anulimin e mijëra fluturimeve të enjten dhe të premten, dhe i detyroi autoritetet e Nju Jorkut dhe Nju Xhërsit të shpallin gjendjen e emergjencës.

"Na e shtynë fluturimin disa herë dhe ne pritëm në pistë katër orë e gjysmë. Pastaj, na nxorën nga avioni dhe na njoftuan se fluturimi ishte anuluar," thotë kjo pasagjere.

Akulli dhe bora e këtyre ditëve fajësohen për qindra aksidente rrugore në mbarë vendin. Bostoni u godit rëndë nga bora, trashësia e së cilës në këtë qytet arriti deri në 35 centimetra. Në disa qytete të tjera më në veri trashësia e borës ishte pothuajse dyfish më e madhe.
XS
SM
MD
LG